Në tre ditët e para të nisjes së vaksinimit kundër gripit sezonal, në Shkodër mbi një mijë qytetarë kanë marrë deri tani vaksinën.
Për këtë sezon, pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor kanë mbërritur 14 mijë doza, të cilat janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore dhe me prioritet për disa kategori personash, sipas moshave dhe profesioneve.
“Në drejtorinë tonë, kanë ardhur rreth 14 mijë doza vaksina, të llogaritura për kategori të ndryshme sikurse personeli shëndetësor, të sëmurët kronikë dhe për të gjithë personat që mund të kenë dëshirë të aplikojnë vaksinën”, tha Arben Xhabia, kryevaksinator, Shkodër.
Sipas kryevaksinatorit Xhabija, edhe këtë vit interesi më i madh për të marrë vaksinën vjen nga qytetarët mbi 60 vjeç dhe pacientët kronikë, që konsiderohen më të rrezikuarit nga pasojat e gripit.
“Interesi në përgjithësi është nga ata persona që çdo vit e kanë marrë vaksinën. Ata e kanë parë efektin pozitiv të vaksinës dhe në fund të ditës dhe mezi presin të paraqiten në qendër shëndetësore për të aplikuar vaksinën e gripit”, tha ai.
Vitin e kaluar, mbi 10 mijë qytetarë në Shkodër kryen vaksinimin sezonal. Risia e këtij viti është se përmes portalit e-Albania, të gjithë qytetarët mund të rezervojnë datën dhe orën për të kryer vaksinën, si për vete ashtu edhe për fëmijët.
Ndërkohë, për ata që vuajnë nga sëmundje kronike dhe nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore, vaksinimi po ofrohet edhe në banesë, nga ekipet e kujdesit shëndetësor në terren.