Albania
Shkodra në prag të 14 majit, çfarë presin banorët në kryeqendrën e veriut?
Shkodra ishte ndalesa e radhës e A2 CNN në këtë tur qytetesh, për të sjellë më nga afër jo vetëm bukurinë që qyteti ofron për turistët vendas e të huaj, malin, liqenin, bregdetin apo ushqimin, por edhe problemet e përditshmërisë së saj, që për banorët e Shkodrës, janë jetike. Kërkojnë punë, kërkojnë gjelbërim, duan që vota e tyre të ketë më shumë peshë këtë herë. Materiali në vijim sjell 24 orë të Shkodrës, si qendër e qarkut, që në tërësi ka 5 bashki.
Shkodra, qyteti i ngjyrave. Diku gjen diell, rini, jetë, muzikë e humor, diku më larg gjen qetësi, varfëri, rrugë të vjetra, shtëpi të braktisura nga ata që Shkodrën e kanë lënë pas e kanë zgjedhur Tiranën, fqinjin Malin e Zi apo edhe emigrimin.
Shumë e njohin si Shkodra e humorit, shumë si Shkodra e traditës, mikpritjes, kulturës, artit apo sportit, shumë e njohin si qyteti i biçikletave. Shumë shkojnë në Shkodër për Bunën, për liqenin apo Shirokën, për të shijuar peshkun e freskët apo tavën e krapit.
Takimin e parë në hyrje të Shkodrës, çdokush e ka me Urën e Bahçallëkut apo edhe lagjen që mban të njëjtin emër. Më pas, vetë rruga të orienton ose drejt Shirokës, ose sipër drejt kalasë ose brenda në qytet, atje ku rrugët kanë më shumë gjallëri.
Ditët e javës, por sidomos fundjava, Shkodrën e gjen përsëri të zgjuar herët. Një biçikletë në dorë, nxitimthi nëpër lagje për pazarin e ditës e më pas një kafe e një dorë muhabet. Diku për sportin e tashmë pjese e tavolinave janë edhe zgjedhjet.
Vetë shkodranët zgjedhin të lëvizin në ditë pushimi, herë në alpet shqiptare më në veri e herë në Velipojë, atje ku shtrihet Adriatiku.
Në ditë me diell, qyteti është plot jetë. Kafenetë plot, pedonalja po ashtu. Qyteti pret veç vizitorëve vendas, edhe turistë të huaj, kryesisht nga Kosova apo Mali i Zi, por edhe të huaj, që Shkodrën e vizitojnë kalimthi, teksa sytë i kanë nga Razma apo Thethi.
Shumë shkojnë në Shkodër për kalanë e Rozafës, që mban mbi vete jo vetëm peshën e kohës, por edhe legjendën e të resë Rozafë, bukuroshes shkodrane, që sipas gojëdhënës u sakrifikua për këto mure.
E shtrirë në një sipërfaqe prej 2558 kilometra katrorë, Shkodra rrethohet magjishëm me një harmoni natyrore, me liqenin, malin e detin, duke ofruar turizëm gjithëvjetor, vetëm 2 orë larg Tiranës. Qyteti është shtëpi e 135 mijë banorëve, sipas censusit të vitit 2011 apo 200 mijë banorëve sipas regjistrit të gjendjes civile.
Velipoja është ajo që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, por edhe vetë qyteti Shkodrës, me një histori 2500-vjeçare, po tërheq sy kureshtarë gjitnnjë e më shumë, me Fototekën Marubi, kalanë, pedonalen e qendrën e qytetit, teatrin ku janë dhe me mijëra shfaqje e prej ku kanë dalë me dhjetëra artistë, ende sot të dashur për publikun, shkodran e jo vetëm. Për fat të mirë, vit pas viti është punuar e investuar për t’i dhënë Shkodrës një fytyrë të re. Për fat të keq, nuk është investuar shumë, së paku jo mjaftueshëm, jo aq sa vetë shkodranët do të kishin dashur, si për ta ruajtur qytetin e tyre.
Kudo, nga qendra në rrethina, qyteti jep dy anë të ndryshme, diku e reja me ndërtime, restaurime dhe shkëlqim, diku më larg, braktisje e varfëri.
Pritshmëritë për këto zgjedhje, që drejtpërdrejtë lidhen me përditshmërinë e tyre, i kanë të larta. Çuditshëm, edhe pse të zhgënjyer, votën nuk duan ta çojnë dëm. Të dy kandidatët i njohin, fundja janë shkodrane, në mos Benet Becin e Bardh Spahinë, njëri ekonomist e tjetri mjek në profesion, njohin apo kanë të dëgjuar emrat e familjeve të tyre. Zgjedhin të votojnë, si për të bërë sadopak ndryshim me votën e tyre, por ka edhe të tjerë të zhgënjyer…
Në Shkodër, ashtu si kudo nëpër Shqipëri, sytë i kanë nga infrastruktura. Disa rrugë janë ndërtuar herët, ndoshta mbi 1 shekull më parë. Për shembull, rrugët karakteristike, ndërtuar në shekullin XX, e rikonstruktuar duke ruajtur të njëjtën formë, në atë që njihet si zona muze e qytetit.
Sfida edhe në shkodrën 2500-vjeçare është ruajtja e traditës, historisë, në përpjekje për të prekur vetëm më të domosdoshmet.
Kështu siç ndodh me shtëpinë e Pashko Vasës, shpallur monument kulture, nën mbrojtjen e shtetit, por pasardhësit e familjes thonë se ajo është prag rrënimit dhe vetë është e pamundur të rikonstruktohet. Familjarët thonë se kurrsesi nuk mendojnë ta përdorin si bujtinë.
Nën rikonstruksion është edhe kafja e madhe, e famshme pranë qendrës. Dora e rindërtimit gjithsesi në qytet, ndihet. Bukur e krenare ngrihen më pas edhe muzeu historik, fototeka Marubi me fotografinë e parë të stampuar në vitin 1858.
Shqiptarët me të drejtë e quajnë Shkodrën djepin e kulturës së tyre. Në Shkodër u rritën e u formuan shkrimtarët e parë shqiptarë, si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu. Por, Shkodra është vendlindja edhe e Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Migjenit e Ernest Koliqit. Apo edhe fenomeneve letrare të mëvonshme si Arshi Pipa e Martin Camaj.
Në qendër, të apasionuarit pas artit, mund të shijojnë magjinë historike të teatrit “Migjeni”. Edhe kjo godinë, ndonëse e rikonsruktuar herë pas here, përsëri ka nevojë për një dorë të mirë. Teatri është shtëpi artistike jo vetëm e trupës se teatrit, por edhe estradës, që përmes humorit, është pjesë e pandarë e tavolinave shkodrane, bejteve apo edhe karnavaleve që i kanë dhënë Shkodrës emrin “qyteti i humorit”.
Velipoja, Shiroka, Thethi, Razma, Liqeni i Komanit apo Vaut të Dejës, veç ia plotësojnë Shkodrës magjinë e turizmit, në dimër e në verë.
Për pak minuta, ne udhëtuam drejt Shirokës. Nga ura e Bunës drejt Shirokës, rruga është e shkurtër, por shija e udhëtimit jo.
Jemi pak metra larg qendrës, ndoshta nën themelet e Rozafës, dhe këtu, dora e shtetit, qoftë pushtet vendor apo atij qendror, nuk ndihet fare.
Magjishëm Shiroka, në fundjavë, pret mijëra vizitorë, për disa foto, një kafe, një shëtitje apo një drekë buzë liqenit.
Peshku është i freskët dhe çmimet të përballueshme, për këdo.
Njëjtë si rruga drejt Shirokës, edhe pse larg qendrës së qytetit, është rrëmujshëm, zhurmshëm, edhe brenda qytetit, një nga lagjet më të njohura të saj: lagjja Rus, atje ku trotuaret, madje edhe rrugët, janë të pushtuara nga tregtarë e shitës ambulantë.
Sa vështirësi për të ecur me biçikletë. Makina të parkuara në dysh, duke e bërë të pamundur për personat me aftësi të kufizuara apo edhe për ata që për lehtësi kanë zgjedhur biçikletën, që të ecin pa i bërë sytë katër. Qyteti që numëron mijëra biçikleta, minimalisht 3 për familje, ka shumë pak korsi biçikletash, edhe atje ku vijëzime ka, mbi to janë parkuar makinat.
Sikur të mjaftonte kaq që shkodranët të ishin të kënaqur. Kurrsesi nuk mund të ndodhë, as në Shkodër e askund tjetër, fundja njeriu kurrë nuk kënaqet me çfarë ka. Ndoshta mirë do të ishte një rrugë më shumë e shtruar, disa të ardhura më shumë në fund të muajit, një punë e sigurt pas diplomimit, ujë 24 orë pa patur nevojën e një pompe, ndriçim publik, edhe larg qendrës së bukur. Këto janë problemet e përditshme të një shkodrani, që gdhin e ngryset në këtë qytet.
Problemet në Shkoder ndër vite mbeten po ato, përmbytjet, ku pedonalja e re, e bukur, e kushtueshme e plot shkëlqim në ditet me diell, e përshtatshme për një set fotografik, në pak minuta shi shndërrohet në një lumë që vështirë se mund ta kalosh pa u lagur kurrsesi, por ndoshta edhe me një rrëzim e lëndim të lehtë. Pedonalja zakonisht nuk përmbytet, të paktën jo si “të përmbyturit e përhershëm”. Vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë apo edhe i liqenit të Shkodrës sjell çdo dimër, përmbytje dhe dëme kolosale, që veç shtëpive, dëmin më të madh e kanë tek toka e bagëtia. Kështu ndodh çdo vit në Obot, Dajç, Ana e Malit e çdo rrethinë tjetër të Shkodrës.
Dhe çdo prag zgjedhjesh apo çdo periudhë fushate, për zgjedhje të përgjithshme apo vendore qofshin, shkodranët pyesin me të drejtë: Ku do shkojë kjo vota jonë? A do përkthehet në investime? A do kemi rrugë të reja? Ndriçim? Korsi për biçikleta? Shkodranët nuk kanë marrë atë që prisnin në 10 vjet qeverisje nga socialistët. Premtimet e radhës i morën në 2021 apo edhe 6 marsin e vjetshëm, por përsëri duket sikur këtu, në qytetin që njihet si blu, dora e shtetit nuk arrin dot.
Shumë e krahasojnë Shkodrën me Kavajën: socialistët mburren se e thyen mitin atje. Do ia dalin edhe në kryeqendrën e veriut? /A2CNN
Albania
E tmerrshme në Pogradec, i moshuari përdhunon 12-vjeçaren
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Piskupat. Një 12-vjeçare nga ky fshat është përdhunuar brutalisht para 4 muajsh nga një 67-vjeçar po nga i njëjti fshat.
Ngjarja ka ndodhur 4 muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm tani pasi 12-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe është 4-muajshe.
E mitura e terrorizuar nuk u ka treguar prindërve të saj për ngjarjen pasi 67-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht se do ta vriste në raste se i tregonte prindërve.
E mitura në praninë e psikologut janë pyetur mbrëmjen e sotme për orë të tëra në prokurori ku ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe se si autori e kishte përdhunuar me forcë duke e lidhur, në banesën e tij.
Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë atë pasi ajo po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë dhe mjekët i kanë informuar se vajza ishte shtatzënë 4 muajshe.
Fill pas kësaj vajza ka treguar më pas ngjarjen dhe sesi 67-vjeçari e kishte përdhunuar në banesën e tij, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Mësohet se autori është baba i 4 fëmijëve si dhe është edhe gjysh. Ndërsa mitura tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe psikologëve pasi është në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
Albania
Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
Nga Auron Tare:
Në arkivat amerikanë të Luftës së Dytë Botërore ruhet një dokument befasues: Dosja e Shqipërisë në kuadër të “Komisionit Robert”, një grup ekspertësh të universiteteve më të rëndësishme amerikane, mes tyre edhe Harvardit. Qëllimi i këtij komisioni ishte i jashtëzakonshëm për kohën: hartimi i listave të pasurive kulturore në Europë që duhej të shpëtoheshin me çdo kusht gjatë operacioneve ushtarake.
Në një botë të përfshirë nga lufta totale, kur qytete të tëra po fshiheshin nga hartat, ky ekip shkencëtarësh dhe historianësh punonte ditë e natë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të popujve – përfshirë edhe tonën.
Shqipëria në sytë e Harvardit
Në Dosjen e Shqipërisë, ekspertët amerikanë kishin përpiluar me imtësi një listë të zonave me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike dhe kulturore:
trashëgimia ilire, gjurmët e qytetërimeve greke, romake, bizantine dhe çdo sit që duhej shmangur nga bombardimet.
Madje kishin hartuar edhe harta të posaçme me pikat që s’duhej të prekej as një bombë, as këmbësoria amerikane në rast zbarkimi.
Në faqen e parë të raportit të tyre, të ruajtur sot në Harvard, theksohet qartë rëndësia e madhe e trashëgimisë ILIRE – një prioritet i padiskutueshëm për studiuesit amerikanë.
Ironikisht, kjo është po ajo trashëgimi që sot disa pseudo-arkeologë të “shkollës së re internacionale” në Shqipëri e shohin si mbetje të nacionalizmit komunist dhe për këtë arsye e shpërfillin.
Ironia që djeg
Këtu fillon ironia e madhe historike:
Në kohë lufte, kur Europa digjej, akademikët amerikanë angazhoheshin për të mbrojtur pasuritë tona kulturore…
Ndërsa pas viteve ’90, në kohë paqeje, shumë prej këtyre thesareve u lanë të rrënohen, u grabitën, u zhdukën ose u shkatërruan nga vetë shqiptarët – më keq se çdo bombardim i mundshëm i aviacionit amerikan.
Ndërtesa, kështjella, objekte arkeologjike, muze, site të lashta – një pasuri mijëravjecare.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania6 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
