Shkolla fillore Robb në Uvalde të Teksasit, ku një i ri i armatosur vrau 19 nxënës dhe dy mësuese, do të prishet, ka bërë të ditur kryetari i qytetit Don McLaughlin.
“Kam biseduar me këtë edhe me mbikëqyrësin e punimeve dhe shkolla do të prishet. Kurrë nuk mund të kërkoni nga nxënësit apo mësuesit të rikthehen në atë shkollë”, shtoi McLaughlin.
Ai ka theksuar këtë në fjalimin e tij plotë emocion me qytetarët, që kërkuan përgjigje lidhur me masakrën që kishte ndodhur në atë shkollë.
Shumë prej tyre janë të pakënaqur me reagimin e policisë, që po i akuzojnë se kanë pritur më shumë se një orë para se të tentonin ta ndalnin të riun e armatosur.
Kryetari i qytetit nuk ka treguar datën e saktë se kur do të rrënohet shkolla, në të cilën ndjekin mësimet rreth 600 nxënës të klasave të treta dhe të katërta.
Dhe presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu ka theksuar nevojën që shkolla të prishet, e muajin e kaluar e konfirmoi edhe senatori Roland Gutierrez.
Kjo nuk është hera e parë që në SHBA rrënohen shkollat pas të shtënave masive ndodhën. Sandy Hook, shkolla fillore ku u vranë 20 nxënës dhe gjashtë mësimdhënës në vitin 2012, gjithashtu ishte rrënuar.