Ende nuk ka një vendim final, por të gjitha gjasat tregojnë se në shtator fëmijët do të kthehen në klasa.
Sot kryeministri Rama tha se shkollat do të hapet. Ai thotë se çdo hap drejt hapjes së shkollave dhe mbrojtje së shëndetit nga ky vendim i vështirë, po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, si edhe vlerësimin dinamik të situatës epidemiologjike në vend.
Vetë ministrja e Mrsimit, Besa Shahini në një intervistë për Top Channel-in thotë se rikthimi i nxënësve në shkolla do të bëhet me shumë kujdes.
“Më 14 shtator nis viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar dhe plani ynë është të kthehemi në bankat shkollore duke siguruar distancimin social, higjienizimin e shkollave dhe duke ruajtur në maksimum shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Kjo do të thotë se kemi disa skenarë për fillimin e mësimit në varësi të numrit të nxënësve në shkollë dhe gjendjes së shkollës dhe klasave sa më të vogla ku nxënësit mund të ruajnë distanicimin social dhe mund të ruajnë shëndetin e tyre paralelisht me zhvillimin e mësimit”, shprehet Shahini.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tregon se tashmë janë detajuar protokollet e sigurisë në shkolla.
Viti akademik 2019-2020 u cungua që në nisje. Shkak u bë tërmeti i 21 shtatorit e më pas 26 nëntorit që mbylli për javë të tëra shumë shkolla. Por goditjen më të madhe arsimi e morri nga pandemia. Mbyllja e shkollave dhe realizimi i mësimit online ka lënë pas shumë boshllëqe që do të duhet kohë e gjatë të rikuperohen.