Shkollat sot në të gjithë Shqipërinë hapin dyert për nxënësit për të nisur kështu vitin e ri shkollor 2020-2021.
Janë rreth 480 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollave, ndonëse në një situatë aspak të zakonshme.
Për shkak të situatës nga pandemia e koronavirusit, në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e COVID-19.
Ky vit shkollor do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska.
Orët mësimore do të jenë 30 minuta.
Ja rregullat që duhet të ndjekin nxënësit:
Të gjithë do të duhet të jenë pajisur me maska dhe do të duhet të ruajnë një distancë prej 2 metra. Më pas nxënësit do të duhet të ndjekin vijëzimet në ambientet e oborrit të shkollës për t’u drejtuar në ambientet e brendshme.
Më pas para se të futen në klasë ata do të duhet të ndalojnë në një kënd të posaçëm ku do i presë infermieri për të bërë matjen e tyre të temperaturës dhe dezinfektimin paraprak.
Pas këtij procesi ata do të bëjnë dhe dezinfektimin e kepucëve në vendin përkatës i cili do të jetë i vendosur para derës të shkollës.
Në momentin që do të futen në klasë nxënësit do të jenë të vendosur në radhë duke ruajtur distancën por do të kenë të njëjtën bankë që nga dita e parë deri në ditën e fundit të shkollës.
Nëse nxënësit i duhet të lëvizë jashtë klasës për nevojat e tij personale dikush do jetë duke e pritur jashtë klasës për ta shoqeruar.
Atyre nuk do u lejohet të qëndrojnë apo lëvizin në korridore, përveç momentit kur hyjnë në klasë dhe kur dalin pasi përfundon mësimi.
Të gjithë nxënësit do të duhet të kenë me vete një formular ku do të jetë e deklaruar gjendja e tyre shëndetësore dhe e familjarëve e cila do të plotësohet nga prindërit.
E njëjta gjë do të jetë e vlefshme edhe për mësuesit. Ata do të duhet të jenë të pajisur me maska gjatë gjithë procesit mësimor.