Ka shkuar në pesë numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Itali. Angelo Borrelli, kryetar i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, tha se tashmë janë konfirmuar 219 raste të infektimeve.
Ai tha se 91 nga personat e infektuar janë duke u mbajtur të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një person është shëruar, shkruan “CNN”.
Rajoni më i goditur nga koronavirusi është Lombardia me 167 raste dhe katër persona të vdekur. Në këtë rajon shtrihet edhe qyteti i njohur i Milanos.
Përhapja e koronavirusit në Itali i ka shqetësuar edhe vendet fqinje të saj. Austria e ndaloi hyrjen e një treni nga Italia dhe po e shqyrton mundësinë e vendosjes së kontrollit kufitar me këtë shtet.
Autoritete lokale në Lombardi dhe Veneto kanë marrë vendim për mbylljen e shkollave dhe universiteteve për të paktën një javë. Është anuluar edhe karnavali i famshëm i Venecias.
Rreth 50 mijë banorë të pjesës veriore të Italisë janë vendosur në karantinë. Autoritetet kanë kërkuar nga banorët që të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa leje të veçantë.