Numri i personave të vdekur nga koronavirusi ka shkuar në 910, ndërsa vetëm gjatë ditës së diel vdiqën 97 persona, që paraqet shifrën më të lartë brenda 24 orëve deri më tash.
Vetëm brenda Kinës, 40 mijë e 171 persona janë të infektuar, ndërsa më shumë se 187 mijë janë nën vëzhgim mjekësor.
Ndërkohë 60 persona janë diagnostikuar me koronavirus në një anije të madhe japoneze, që do të thotë se 130 nga 3700 pasagjerët janë të infektuar.
Sipas të dhënave të autoriteteve Kineze, 3 mijë e 281 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Të hënën, miliona kinezë u kthyen në punë pas pushimit të zgjatur për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit.
Gjatë fundjavës që shkoi, numri i viktimave të koronavirusit e kaloi shifrën e personave të vdekur nga virusi SARS, kur në vitin 2003 kishin vdekur 774 njerëz.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur gjendjen emergjente globale me 30 janar për shkak të përhapjes së virusit në disa kontinente.