• Home
  • Albania
  • Kosova
  • Maqedonia
  • UK
  • Bota
  • Sport
  • Rajoni
  • Diaspora
  • Lajme te tjera
  • Live TV
  • Kontakto
    • Terms and Condition
    • Termat dhe Kushtet
  • Lajme
Friday, August 1, 2025
  • Login
ALB UK News
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • Maqedonia
  • UK
  • Bota
  • Sport
  • Rajoni
  • Diaspora
  • Lajme te tjera
  • Live TV
  • Kontakto
    • Terms and Condition
    • Termat dhe Kushtet
  • Lajme
No Result
View All Result
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • Maqedonia
  • UK
  • Bota
  • Sport
  • Rajoni
  • Diaspora
  • Lajme te tjera
  • Live TV
  • Kontakto
    • Terms and Condition
    • Termat dhe Kushtet
  • Lajme
No Result
View All Result
ALB UK News
No Result
View All Result
Home Albania
Shkrim i vitit 1842: Shqiptarët – një popull luftarak në kufijtë e qytetërimit

Shkrim i vitit 1842: Shqiptarët – një popull luftarak në kufijtë e qytetërimit

by albnews
31 July, 2025
in Albania, Kulture
0
9
VIEWS

Studiuesi francez dhe filologu sllav Cyprien Robert (1807-1860?), lindi në Anzhe, studioi gjuhët sllave nën drejtimin e poetit të madh polak Adam Mickiewicz, të cilin e pasoi si profesor i gjuhëve dhe letërsive sllave në Collège de France në Paris (1845-1857). Ai ishte gjithashtu redaktor i periodikut me ndikim të shekullit XIX, Revue des Deux-Mondes. Pas udhëtimeve të gjera në Ballkan, botoi një vepër të gjatë mbi botën greko-sllave, duke përfshirë edhe një kapitull interesant për shqiptarët nga i cili vjen përzgjedhja e mëposhtme.[1]

Nga: Cyprien Robert[2]
Përktheu në anglisht (nga frëngjishtja): Robert Elsie
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

Në skajin perëndimor të botës greko-sllave ndodhet një komb gjithnjë nën armë, që përbën një kastë të mirëfilltë luftëtarësh në provincat osmane. Ata nuk janë më pak të frikshëm dhe janë më të lirë se kastat ushtarake të Azisë Qendrore. Ky komb, që ka pasur gjithnjë ndikim të madh në Perandori, ende ia siguron Turqisë trupat më të mira dhe pothuajse të vetmet që merr ajo. Ky fis i ushtarëve janë shqiptarët – fjalë për fjalë “të bardhët”,[3] ose në kuptimin e vërtetë të shprehjes orientale, “njerëz të pavarur”. Kombësia e tyre, me prejardhje të paqartë, daton që nga koha e pellazgëve dhe është e mundur që racat greke dhe sllave të kenë pasur një djep të përbashkët në Shqipëri. Ky popull “i bardhë” dikur banonte në pothuajse të gjithë gadishullin greko-sllav,[4] ku prania e tyre dëshmohet nga numri i madh i emrave shqiptarë të qyteteve dhe fshatrave që tani banohen nga serbët dhe nga grekët. Në të vërtetë, në pjesë të ndryshme të Bullgarisë, të Maqedonisë dhe të Bosnjës, gjenden fshatra të vjetra ku shqiptarët janë përzier me cincarët (sllavë të helenizuar). Megjithëse dikur të shpërndarë në një territor të gjerë, raca shqiptare është tkurrur ndjeshëm në numër dhe tani ka pak më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë të vërtetë në këtë tokë e që, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, para dyzet vjetësh, numëronin mbi dy milionë banorë.

Megjithëse më pranë Evropës së qytetëruar sesa shumica e rajoneve të Orientit – meqenëse ndahet nga Italia vetëm nga një ngushticë e ngushtë – Shqipëria normalisht do të duhej të ishte më e ndikuar nga qytetërimi evropian. E, megjithatë, kjo është pikërisht pjesa më barbare e Perandorisë Turke. Cili është shkaku i këtij fenomeni? Disa besojnë se kjo vjen nga mënyra se si shqiptarët i qëndrojnë besnikë sistemit të fiseve dhe klaneve, që është më i ngulitur në Shqipëri sesa në provincat e tjera të Perandorisë Osmane. Por, do të ishte gabim t’ia atribuonim barbarinë vetëm kësaj. Ajo lidhet jo vetëm me sistemin e fiseve, por me sistemin e fiseve luftarake, me shpirtin e pakontrolluar të hordhive. Vendosmëria e këtij populli, edhe në kohë paqeje, për të ruajtur mënyrën e tyre luftarake të jetesës, ka penguar çdo zhvillim shoqëror. Meqë nuk janë në gjendje të bëjnë luftë jashtë, bëjnë luftë me njëri-tjetrin, ashtu si beduinët arabë. Ata janë pakësuar gjithnjë e më shumë nga përplasjet e vogla ndërmjet familjeve dhe kjo u ka dhënë mundësi popujve fqinj të depërtojnë gjithnjë e më shumë në tokat e tyre. Ky depërtim i huaj, kryesisht i pavërejtur, ka bërë që Shqipëria të ndikohet nga dy rryma të huaja – njëri sllav dhe tjetri grek – të cilët tashmë janë në konflikt me njëri-tjetrin për një tokë në anarki.

Shqiptarët përdorin dy terma të përgjithshëm për të përshkruar veten. Termi Mirditë, i marrë nga persishtja mardaites (trima), përdoret për të përshkruar pjesën më fisnike të popullsisë dhe do të dukej, ashtu si termat gjerman, sllav dhe frank, se ka qenë një titull nderi. Fjala Shkipetar (banorët e shkëmbinjve) përdoret për të përcaktuar këtë komb në përgjithësi.

Hipokrati dikur ka thënë: “Të gjithë ata që jetojnë në rajone malore me ujë dhe që janë të ekspozuar ndaj ndryshimeve të shpeshta të klimës sezonale janë, nga domosdoshmëria, të gjatë, të dhënë pas ushtrimeve fizike, trima dhe të egër në karakter”, dhe ky është një përshkrim i duhur për shqiptarët. Sa për këta të fundit, duhet shtuar se ata kanë sy të vegjël, një shikim të palëkundur, vetulla të holla, hundë të mprehtë, kokë të zgjatur, ballë të rrafshët, qafë shumë të gjatë dhe gjoks jashtëzakonisht të fryrë, me pjesën tjetër të trupit të hollë dhe muskuj të forcuar. Meqë janë të pajisur me muskuj shumë të zhdërvjellët, ata ruajnë në ecjen dhe qëndrimet e tyre një pamje disi teatrale të një atleti të kohëve të lashta. Edhe pse kanë shumë shpirt të natyrshëm, ata nuk janë veçanërisht të pajisur me inteligjencë. Më shumë se çdo gjë tjetër, ata janë ushtarë – zviceranët e Orientit. Ata e shesin gjakun e vet për çdo flamur dhe i shërbejnë çdo zotërie me të njëjtën besnikëri. Ata mund të gjenden si pjesëtarë të Gardës Papnore, në Pallatin e Napolit, në sarajet e Bagdadit, Kajros dhe Marokut, dhe në sallonet e pritjes së bojarëve moldavë dhe vllahë.

Fushatat vullnetare të rekrutimit zhvillohen çdo vit në gjithë Shqipërinë. Banorët e pasur kanë të drejtën të mbajnë gradën e një bylykbashi [nënoficer] ose kapedani. Ai do të punësojë burra duke u paguar atyre rrogën, sipas marrëveshjes, dhe do të marrë me vete grupin e tij të aventurierëve të cilët bëhen familja e tij e birësuar. Ai shkon me ta për të plaçkitur jashtë ose hyn në shërbim të një princi ose pashai të huaj. “Etërit” e këtyre bandave ndajnë të gjithë mundin dhe kënaqësinë me bijtë e tyre të birësuar dhe nuk dallohen prej tyre as me armë më të pasura, as me kostume me brokada të arta e të argjendta. Paga normale e këtyre burrave (luftëtarëve), që përbëjnë këto familje të vogla ushtarake, është nga shtatë deri në nëntë franga në muaj, pa llogaritur ushqimin.

Me prirje për grabitje, por kursimtarë në mënyrën e tyre të jetesës, ata vjedhin nga fshatarët çfarë u duhet zakonisht për ushqim. Në kohë lufte, lakmia e tyre nuk njeh kufij. Ata sulen mbi ata që kanë mposhtur me thirrje: Aspra, aspra! i xilon, xilon, kai xilon! (Paratë, paratë! Ose rrahje, rrahje, rrahje!). Në betejë, instinktivisht dinë të përfitojnë nga terreni dhe njohin të gjitha strategjitë e luftës partizane. Shkëlqejnë në mashtrimin e armikut me lëvizje të rreme dhe në kapjen e kundërshtarit me sulme të befasishme. Ata mund të përshkojnë distanca të gjata në grupe të vogla dhe kështu krijojnë një zinxhir postash të vogla komanduese që komunikojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet lajmëtarëve të palodhur. Kur caktojnë pritën, shpesh i vendosin kapelat dhe xhaketat në drejtimin e kundërt nga vendi ku fshihen. Të shtrirë në tokë ose të fshehur pas pemëve, e shënjestrojnë armikun me sigurinë e piketimit. Nëse i zënë armiqtë të gjallë, këta të fundit bëhen skllevërit e tyre. Nëse i vrasin, kokat e tyre priten, kriposen dhe sillen në shtëpi për t’u vendosur mbi heshta në fshatrat e tyre. Ky zakon respektohet edhe nga burrat katolikë.

Shqiptarët që nuk rekrutohen në ushtri shkojnë gjithashtu çdo vit jashtë për të kërkuar punë si punëtorë guri, muratorë dhe korrës. Ata kthehen në shtëpi në dimër me paratë që kanë fituar. Një mënyrë jetese nomade, pa praninë e grave, ka sjellë ndër shqiptarët, më shumë se ndër çdo popull tjetër në Evropë, vesin e turpshëm që kjo mënyrë jetese imponon. Nga ana tjetër, ata janë të hapur, i mbajnë premtimet dhe dinë të bëjnë luftë të hapur kundër armiqve të tyre. Prirjet e tyre të shthurura nuk i rezistojnë martesës dhe qëndrimi i tyre ndaj jetës martesore është veçanërisht i rreptë. Edhe ata që janë myslimanë kanë vetëm një grua. Prostitucioni është praktikisht i panjohur në këtë vend, dhe çdo grua që kapet në flagrancë vdesë së bashku me burrin që ka joshur. Përkundër ashpërsisë së zakoneve të tyre, shqiptarët preken pak nga xhelozia. Ata i lejojnë gratë e tyre të dalin kudo pa mbulesë. Siç ndodh me të gjitha racat luftëtare, gratë këtu përçmohen dhe mbingarkohen me punë. Ato ujisin tokën me djersën e tyre dhe, herë pas here, marrin pjesë në gjakmarrje së bashku me burrat e tyre. Këto gra energjike meritojnë një fat më të mirë në jetë. Ato jo vetëm që kanë bukuri që nuk venitet gjithmonë me pleqërinë, por edhe të gjitha virtytet e një zonje shtëpie.

Çdo shtëpi në këtë vend të çuditshëm është si një fortesë e vogël, me vrima për pushkë që shërbejnë si dritare. Shtëpitë janë të ndërtuara me baltë, dhe janë gjithmonë në distancë, nëse është e mundur, në maja kodrash që mund të arrihen vetëm me një shkallë që zakonisht përfundon me një litar – mënyra e vetme për të hyrë në folenë e shqiponjës. Brendësitë janë praktikisht të zhveshura nga mobiliet, ndonjëherë edhe nga dyert. Tymit nuk i është lënë rrugë tjetër përveç një vrime në tavan. Dritaret nuk kanë kurrë xhama. Në dimër, ato thjesht mbulohen me letër. Sidoqoftë, sarajet e bejlerëve kryesorë janë disi më të zbukuruara. Fasadat janë të lyera me ngjyra të ndezura. Brendësitë ofrojnë një bollëk arabeskash, peizazhe detare, pamje të arkitekturës orientale, skena gjuetie dhe peizazhe të këndshme të realizuara nga raja greke.

Madhështia e kostumeve shqiptare është mjaft proverbiale. Megjithatë, në thelb ato janë variante të veshjes greke. Xhaketat e tyre vezullojnë me kopsa floriri dhe qëndisma mëndafshi me ngjyra të të gjitha llojeve, nga qafa e deri në bel. Ajo e nxjerr në pah trupin e tyre dhe të gjitha lëvizjet. Dy mëngët, zakonisht të hapura dhe të shkëputura nga krahët, valëviten si krahë pas shpatullave të tyre. Ajo që i karakterizon pasardhësit e këtyre fiseve (klaneve) shqiptare janë fustanet e tyre që të kujtojnë fundet e keltëve të lashtë dhe fundet e shkurtër të ushtarëve romakë. Këto fustane ose fustanella janë të përbëra nga 122 copa pëlhure të prera për së gjati dhe shumë të gjëra në fund, me palëzime të panumërta. Kjo lloj tunike është rreth dy këmbë e gjatë. Ajo është me skaje të qëndisura në mëndafsh dhe mbështillet rreth kofshëve me një palë fundore. Ajo i jep ecjes së tyre një farë lehtësie dhe dinamizmi që godet të huajin. Duhet theksuar, për turpin e luftëtarëve shqiptarë, se fustanellat e pastra, të bardha, janë të rralla. Luftëtarët janë krenarë që kanë vetëm një të tillë dhe e veshin atë pa e ndërruar kurrë, derisa të bëhet copë-copë. Me këtë, ata përpiqen të tregojnë përçmimin e tyre për feminitetin dhe luksin.

Shqiptarët rruajnë kokën siç bëjnë turqit, me ndryshimin e vetëm se, në pjesën e pasme, mbajnë një tufë të gjatë flokësh që nuk e presin kurrë. Mbulesa e zakonshme e kokës është fesi i kuq. Ulematë janë të vetmit që mbajnë turbanë dhe mjekra. Shqiptarët e tjerë rrisin vetëm mustaqe. Mbulesa e kokës së grave ndryshon vetëm në atë që i shtohen monedhat. Ato gjithashtu kanë gërsheta që bien nga të gjitha anët.

Këpucët e luftëtarëve janë një lloj materiali dekorues me qëndisma mëndafshi, disi si buskinat e lashta. Ato shtrihen nga gjuri deri te këmba dhe mbulohen aty me këpucë lëkure të kuqe marokene ose me një copë të thjeshtë lëkure të papërpunuar të lidhur me kordele, si sandale.

Shqiptarët nuk kanë shtrat tjetër veç tokës. Mbi to vendosin shtrojën me gjethe palme ose qilimat e pasur që i kanë plaçkitur nga ndonjë qytet aziatik. Ata flenë të veshur dhe përdorin leshin për jastëk, një pallto me lesh dhie ose lëkurë deleje. Ata nuk janë kërkues për ushqimin siç nuk janë shtratin. Kur udhëtojnë, hanë vetëm një vakt në ditë. Në shtëpi, janë krejt të kënaqur me një supë orizi ose misri të holluar në qumësht. Ditëve të festave, ata hanë një jahnije, një mish me bizele të thata, një pilaf turk ose një koçé, që është një mish keci ose deleje i pjekur në një copë dhe i shërbyer mbi një tepsi druri lisi. Burrat ulen në rreth dhe e shqyejnë me thikat e veta, duke e gëlltitur menjëherë pa pasur nevojë për pirun. Ashtu si ndër boshnjakë, vakti përfundon me një ëmbëlsirë të përbërë nga copa mjalti të përziera me krem.

Pavarësisht pamjes së tyre barbare, banketet nuk janë pa madhështi. Evropianët habiten nga hareja e tyre e shprehur haptazi dhe nga sjelljet e tyre shpeshherë dinjitoze. Shërbëtorët rreshtohen me duar të kryqëzuara mbi gjoks, dhe ka peceta të qëndisura me ar që kalojnë nga një mysafir te tjetri. Gotat e mëdha të kristalit, të zbukuruara me gurë të çmuar, nxirren për të ngritur dolli. Pas vaktit, nga vajzat e reja vijnë ibrikët e kuq të ndritshëm, në të cilët mysafirët lajnë duart dhe fytyrën, dhe më pas luajnë disa valle interesante.

Udhëtari kujtohet për zakonet e kohëve të lashta; gjithçka është menduar për ta kënaqur atë. Megjithatë, gëzimi i tij shpejt zëvendësohet nga dhimbja dhe mëshira kur sheh kryefamiljarin, plot nderim dhe supersticion, kur merr kockat e shpatullave të deles së pjekur dhe t’i studiojë ato në dritë si një haruspeks për të përcaktuar fatin e popullit të tij.

Vaktet shoqërohen shpesh me këngë. Çdo fis ka bardin e vet që zakonisht është një anëtar i moshuar i familjes. Bardi u këndon nipërve dhe stërnipërve të tij për trimëritë e paraardhësve dhe të kryetarit aktual të fisit, për vepra e mëdha që shpesh njollosen, në sytë e njerëzve të qytetëruar, nga mizoritë dhe tradhtitë e tmerrshme. Por, nuk ka asgjë të turpshme në to në sytë e këtij populli. Këngët, të ndara në kupleta, këndohen në një ton monoton, të ndërprerë rregullisht nga britmat dhe ulërimat. Brokovalat e tyre, marshimet ushtarake që dikur këndoheshin nga shokët e Skënderbeut gjatë hyrjes në betejë, dhe që mund të datojnë që nga koha e Pirros, lënë një përshtypje të fuqishme.

Mënyra e jetesës së shqiptarëve i bën ata të fortë nga natyra dhe të pandjeshëm ndaj motit dhe ndryshimeve të stinëve. Ajo që i jep fund jetës është pothuajse gjithmonë e vetmja sëmundje që kanë pasur ndonjëherë. Ata kanë një mospërfillje të plotë për mjekësinë. Në gjithë vendin nuk ka më shumë se një duzinë mjekësh grekë të shkolluar në shkollat e Pizës, Vjenës dhe Parisit. Sa i përket kirurgjisë, kjo u lihet magjistarëve të cilët, me vajrat e tyre dhe lutjet kabaliste pretendojnë se mund të shërojnë çdo sëmundje. Vatra kryesore për këta kalojatra, njerëz mjekësorë, është rrethi i Zagorisë në Malet e Pindit. Këtu ka mijëra praktika tradicionale mjekësore, disa prej të cilave, duhet pranuar, janë mjaft efektive. Me bimët e tyre mjekësore, kalojatrët dinë si të shpëtojnë nga plagët e tmerrshme të shpatës. Ajo që është e çuditshme është se, në këto raste, mjekët u lejojnë pacientëve të pinë vetëm raki në mënyrë që, siç pretendojnë ata, të mbajnë lëkurën të shëndetshme dhe të shmangin gangrenën. Për sëmundjet kronike nuk bëhet shumë. Ata shpeshherë thjesht i çojnë të sëmurët në kishën e fshatit ku prifti lexon një lutje mbi ta. Nëse janë shumë të sëmurë për t’u transportuar në kishë, dikush do t’i çojë rrobat në një vend të shenjtë. Edhe myslimanët përkushtohen ndaj këtyre praktikave fetare.

Gratë nuk bëjnë asnjë ndryshim në rutinën e tyre të përditshme kur janë shtatzëna. Ato nganjëherë lindin nëpër fusha ku janë duke punuar. Ato e vendosin foshnjën e sapolindur në kraharor dhe nxitojnë për në shtëpi për t’u shtrirë, ndonëse nuk janë aspak të sëmura. Është zakon që një grua që ka lindur së fundmi të mos shihet për disa ditë. Për shtatë net me radhë, të gjithë fqinjët mblidhen përreth dhe bëjnë zhurmë përreth shtëpisë për të mos e lënë atë dhe fëmijën të flenë, nga frika se mos demonët hedhin mallkime ndërkohë që flenë.

Të sëmurët mendorë dhe ata “të pushtuar” trajtohen vetëm nga priftërinjtë, të cilët i vënë në zinxhirë dhe i rrahin me shkopinj derisa ata të rrëfejnë emrat e të gjithë djajve që kanë hyrë brenda tyre. Këta emra shkruhen, me anatema, në copa letre që më pas digjen.

Shqiptarët kanë një numër të panumërt besëtytnish. Priftërinjtë mallkojnë solemnisht insektet në këngët e tyre dhe thuhet se janë në gjendje të ndalojnë breshrin dhe stuhitë. Në shtigje, shpesh shihen gurë të ngulur në degët e pemëve. Këto janë oferta ex voto që njerëzit e thjeshtë i vendosin aty gjatë udhëtimeve të tyre, në mënyrë që shpirtrat e pyllit, të prekur nga dhuratat, të shpëtojnë gjymtyrët e tyre nga lodhja e rrugës. Në majë të burimeve shpesh shihen një kamare bosh që duket sikur pret një statujë. Ata që pinë nga burimi vendosin në këtë kamare një lule, një guralec, një degë të gjelbër ose fije mjekre si dhuratë për shpirtin e mirë (kalodaimonin) të egërsisë. Mbi të gjitha, shqiptarët kanë frikë nga “syri i keq”. Sa herë që mendojnë se janë bërë objekt i një shikimi të tillë, prekin hekurin dhe qëllojnë dy herë me pistoletat e veta. Pa këtë, ata do të humbnin në udhëtim, do të binin nga ndonjë shkëmb ose do përfundonin në ndonjë humnerë të banuar nga vroko-laksi [vurkollaku], ujku përgjakshëm. Ndryshe nga vukodlaku i serbëve, i cili është thjesht një njeri, i gjallë ose i vdekur, i pushtuar nga një demon vrasës dhe endacak, vurkollaku është një shpirt i pathyeshëm. Ai shpesh ngrihet nga toka në formën e një gjarpri të zi për të kafshuar njerëzit që bëjnë gjumë të shkurtër në bar. Betimi më i fortë është të betohesh për këtë gjarpër.

Kur një burrë niset për një udhëtim të gjatë, gruaja e tij qep disa copa të rrobave të saj në rrobat e tij dhe qëndron pranë sendeve të dashura për burrin e saj. Ajo i konsulton këto objekte për shenja të së ardhmes. Ajo bie në dëshpërim dhe ankth nëse qentë lehin natën pa ndonjë arsye të dukshme, sepse beson se ata po reagojnë ndaj rënkimeve të burrit të saj kur ai është zënë rob dhe ndoshta theret në rërat e Tunizit ose Palmirës.

Të gjitha këto besëtytni mund të shpjegohen më shumë me barbarinë e shqiptarëve sesa me edukimin e tyre oriental. Ndikimi i Orientit është ndoshta më pak i pranishëm në zakonet e tyre sesa ai i Evropës së lashtë. Asgjë nuk është bie shumë në kundërshtim me mendimin e një njeriu të devotshëm të Orientit, për shembull, sesa gjuetia, megjithëse gjuetia është argëtimi i preferuar i shqiptarëve ashtu si i baronëve gjermanë. Mirdita është i vetmi territor turk ku zakonet janë pak të ndikuara nga Orienti dhe përleshjet mes kafshëve ishin shumë të pëlqyera atje në kohën e Ali Pashës.

Këta njerëz dinë pak gjë përveç blegtorisë. Ata nuk janë të interesuar për zanatet e specializuara. Djemtë e rinj enden maleve me kope, ndërsa bejlerët dhe krerët fisnorë marrin palankat [kampe të fortifikuara]. Megjithatë, njerëzit e Shqipërisë së Epërme kultivojnë rrush dhe ata të Epirit kultivojnë ullinj. Ata gjithashtu presin lisat dhe i transportojnë drejt bregdetit ku shiten te komisionerët e flotave austriake dhe angleze. Shqiptarët e helenizuar në disa qytete, si Janina, nga ana tjetër merren vetëm me zanatet e specializuara. Ata janë artistët e Turqisë në Evropë. Ata udhëtojnë nëpër të gjitha provincat, shpesh në grupe endacake, si lutësit e kotë të Jupiterit që shkojnë atje ku ndodhet padrejtësia, dhe rindërtojnë qytete që bashkëkombësit e tyre, barinjtë luftëtarë, kanë shkatërruar.

Çdo familje e madhe ka stemën e vet dhe çdo fis ka flamurin e vet që u dorëzohet të rinjve kur nisen në një ekspeditë të largët. Armët që këto grupe të parregullta marrin me vete përbëhen nga thika dhe hanxharët, dorezat e të cilëve shpesh janë të stolisura, ndonjëherë me argjend ose perla; dy ose tri pistoleta mjaft të gjata me doreza prej bakri të mprehta; dhe, pushkë, zakonisht të damaskuara. Armët më të preferuara ndër ta janë karabina, e quajtur djeferdan [xheverdare], dhe pushka e madhe shqiptare e quajtur arnautka, me peshë dymbëdhjetë paundë. Tridhjetë lidhëse [?!] mbështesin tytën që mund të qëllojë në një distancë prej 300 hapash. Shqiptarët nuk përdorin bajoneta dhe përdorin të njëjtët plumba në pistoletat e tyre si në pushkë. Ndonjëherë, udhëheqësit e tyre vishen me mburoja të pasura të Mesjetës, parzmore boshnjake prej argjendi dhe në të kuqe të ndezur, me lloj krahësh mbi supe. Por, pllakat metalike nga të cilat përbëhet parzmorja janë aq të holla saqë mezi mund të përballojnë një goditje shpate. Për t’u mbrojtur nga plagët, luftëtarët mbështeten më shumë se gjithçka tjetër te hajmalitë, të cilat nuk i lënë kurrë pas vetes. Ndonjëherë ato trashëgohen nga babai tek i biri.

Janë krenarë dhe të lumtur që mund të jetojnë në kamp ku të rinjtë marrin fuqi të re. Nga dhjetë mijë shqiptarë që hyjnë në betejë, nuk gjenden më shumë se tridhjetë që janë të sëmurë. Por, sapo u skadon shërbimi dhe janë ende larg vendit të tyre, këta shqiptarë krenarë nuk mund të mbahen më. Krenaria e tyre kombëtare i bën të përçmojnë turqit: Osmanlis einai kalos dia to chorba (Osmanlinjtë janë të mirë vetëm për çorbë), thonë ata. Ata i përçmojnë edhe më shumë evropianët. Ata kanë besim vetëm te raca e tyre dhe tek ata që janë birësuar nga fisi i tyre.

Organizimi shoqëror i shqiptarëve nuk mund të përcaktohet lehtë, sepse përfshin pothuajse të gjitha llojet e qeverisjes, asnjëra prej të cilave nuk mbizotëron. Në realitet, shqiptarët janë komuniteti i vetëm që jeton në Evropë, për momentin, ashtu siç jetonin paraardhësit tanë në epokën e anarkisë feudale dhe gjatë pushtimeve vikinge. Autoriteti civil mbështetet krejtësisht mbi shpatën. Të gjithë udhëheqësit ushtarakë shërbejnë si gjykatës në kohë paqeje dhe marrin aurën fetare të pleqve në një sistem të lashtë patriarkal, sado të rinj të jenë. Ata ndiqen në kishë me përkushtim të madh nga anëtarët e fisit të tyre, ashtu si në kamp, dhe janë të detyruar t’i trajtojnë ata si fëmijët e vet. Fisi shqiptar quhet farë ose çetë, terma të prejardhura nga greqishtja dhe sllavishtja që nënkuptojnë vatra ose familje. Kudo që ky komb ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me evropianët, qoftë në ishujt dikur venedikas apo në Mbretërinë e Napolit që përfshinte shumë koloni shqiptare, fiset morën gradualisht një karakter feudal. Por, në brendësi të Shqipërisë, ato kanë ruajtur karakterin e lindur demokratik të popullsisë në tërësi.

Me ndjenjën e tepruar të frymës familjare, mund të thuhet se shqiptarët janë të shpërndarë në një masë grupesh të vogla ose fisesh. Secili prej këtyre grupeve, brenda mureve mbrojtëse të kullave të tyre (kulla të fortifikuara), beson se mund të sfidojë me sukses të tjerët dhe, i fiksuar pas interesave të familjes së vet, refuzon të japë drejtësi ndaj fiseve fqinje që anëtarët e tij mund t’i kenë dëmtuar. Liria dhe fuqia e tepërt e familjes jep shkas për drejtësi private. Kështu, një vrasje mund të japë shkas për qindra të tjera të kryera për hakmarrje. Këto përleshje familjare quhen çeta, një fjalë tatare që ende përdoret nga turkmenët e Anadollit për të nënkuptuar një sulm ndaj një karvani tregtarësh. Në ilirishten[5] e hershme, četa do të thotë “plaçkitje” dhe četovati “të plaçkitësh”. Një pritë gjatë e një çete quhet një çak. Ajo që po ndodh aktualisht në Algjeri mes fiseve miqësore ndaj Francës dhe fiseve armike, mund të japë një ide për bastisjet që zhvillohen në Shqipëri, në Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Klanet luftëtare vjedhin kope, shkatërrojnë shtëpi dhe shkulin pemët frutore. Vetëm kishat dhe gratë kursehen. Në mes të tërbimit të një bastisjeje, gratë mbeten të paprekshme dhe mund të lëvizin lirisht nga një fshat në tjetrin.

Kur dy shqiptarë nga fise të ndryshme takohen, pyetja e parë që shtrojnë është: Kum fis? (Prej cilit fis je?). Dhe, e bëjnë këtë pyetje me duar mbi pistoletat e veta, secili duke dyshuar se fisi i tjetrit ia ka gjakun borxh. I gjithë sistemi moral i kësaj shoqërie mbështetet mbi një thënie të tmerrshme: Ko ne se osveti, on ne se posveti. (Kush nuk hakmerret, nuk shenjtërohet), d.m.th. se me tolerancën e tij, ai do të mallkohet për shkak se ka inkurajuar palën tjetër të sulmojë. Është i afërmi më i afërt i viktimës ai që është i detyruar të marrë hak. Nëse njëri prej dy vëllezërve vret të atin, tjetri duhet të vrasë vëllanë për të qetësuar shpirtin e të ndjerit. Nëse nuk e bën këtë, atëherë është i biri ai që është i detyruar ta zëvendësojë në kryerjen e hakmarrjes. Kjo mund të vazhdojë pafundësisht derisa të shfaroset e gjithë familja. Në shtratin e vdekjes së viktimës, një plak do të rendisë numrin e burrave të fisit që kanë vdekur dhe do t’u rekomandojë me përkushtim djemve të tij që të marrin hak. Kur fisi që sulmohet është me përmasa të konsiderueshme, ndonjëherë shihen qindra burra që hidhen njëherësh në përleshje.

Ka gjithashtu çeta kombëtare të dërguara kundër provincave fqinje si Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi. Çetat e këtij lloji përbëhen zakonisht nga rreth tre mijë burra dhe formojnë tri korpuse. Në mes të ditës, ata sulmojnë me krenari një fortesë armike. Banorët që nuk kanë arritur të zënë pritë në ndonjë grykë pranë fshatit të tyre, për të mësyrë sulmuesit në kalim, do të rrethohen në brendësi dhe do të presin ardhjen e aleatëve të tyre. Çetat e përbëra nga shqiptarët e bregdetit, për shembull nga Gjiri i Volosit, shpesh shkojnë përmes detit. Ata janë shumë të frikësuar nga grekët e Thesalisë dhe ata të Akrokeraunisë. Duke lëvizur mbi ujë me shpejtësi të tmerrshme, tartanat e tyre (anije me një direk) me emra paqësorë si “drenusha”, “pëllumbesha” dhe “dhia” ndjekin dhe grabisin piratët më mizorë të Mesdheut. Çetat e tjera janë të përkushtuara vetëm ndaj plaçkitjeve përtej kufirit. Ato marrin emrin melankolik kurbet, “dhimbja e mërgimit”, dhe ata që marrin pjesë në to mëshirohen, ashtu si në vendet e Evropës Jugore mëshirohen me poveri brigandi.

Ashtu si në epokën e kalorësisë feudale, çetat i nënshtrohen disa kufizimeve morale. Për shembull, në kohën e mbjelljeve ose të korrjeve, ose kur ka shumë punë për të bërë në fusha, nuk lejohet të sulmohet popullsia që punon atje. Lejohet vetëm të qëllohet në drejtim të fshatit. Sa herë që dikush bërtet Nu vras (mos vrit), kundërshtari i tij duhet të ndalojë zemërimin dhe të përmbahet. Nëse ndonjë udhëtar ndodh të shfaqet në mes të një përleshjeje, ata e ndalin luftën me afrimin e tij dhe e shoqërojnë për më tej. Nëse ndodh që një armik i huaj të sulmojë, të gjitha gjakmarrjet ndalen në mënyrë spontane. Dhe, së fundmi, nëse një fis më i dobët rrezikon të shfaroset plotësisht, fiset fqinje bashkohen dhe e detyrojnë fitimtarin të bëjë paqe. /Telegrafi/

Previous Post

Vrau 3 civilë shqiptarë, Gjykata e Prishtinës dënon me 15 vjet burg Millosh Plleskoviç

Next Post

“Hiqini non gratën”, Kompania e lobimit e PD, letër Marco Rubios: Berisha, jo politikan aktiv

albnews

albnews

Related Posts

Ambasadori Hargreaves: Britania e Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren
Kosova

Ambasadori Hargreaves: Britania e Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren

1 August, 2025
Marrëveshja për emigrantët, Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzon qeverinë italiane
Albania

Marrëveshja për emigrantët, Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzon qeverinë italiane

1 August, 2025
“Pandora”/ SPAK zbërthen skemën e mashtrimit me Call Center, prokurori: 8 masa arresti
Albania

“Pandora”/ SPAK zbërthen skemën e mashtrimit me Call Center, prokurori: 8 masa arresti

31 July, 2025
Next Post
“Hiqini non gratën”, Kompania e lobimit e PD, letër Marco Rubios: Berisha, jo politikan aktiv

“Hiqini non gratën”, Kompania e lobimit e PD, letër Marco Rubios: Berisha, jo politikan aktiv

  • Trending
  • Comments
  • Latest
Tronditet Britania, gardiania e burgut s*ks në qeli me të dënuarin, dalin pamje

Tronditet Britania, gardiania e burgut s*ks në qeli me të dënuarin, dalin pamje

28 June, 2024
Arratisja e Havzi Nelës dhe letra që la në kufi në natën e 26 prillit 1967

Arratisja e Havzi Nelës dhe letra që la në kufi në natën e 26 prillit 1967

24 July, 2025
Ukraina dështon në grabitjen e bombarduesit strategjik të Rusisë

Arrestohet në Londër shqiptarja e shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, ja për çfarë akuzohet

8 July, 2024

Nga Av. Naim Hasani/ “Kush ka hyre ilegalisht ne Britani, nuk do te behet asnjehere shtetas Britanik”

11 February, 2025
Albania Today Part 2 ( Ministria Turizmit , Toptani Shopping Center , Plaza Tirana Hotel.)

ALB UK is airing a documentary against the stereotype Sky news portray on Albanians and Albania.

0

Ngrohja globale po afron

0

Salah kthehet në makineri golash, Liverpuli drejt vendit të dytë

0

3 mijë emigrantë të kapur gjatë muajit janar-shkurt

0
SHBA do të prodhojë raketa për Ukrainën dhe aleatët me vlerë deri në 3.5 miliardë dollarë

SHBA do të prodhojë raketa për Ukrainën dhe aleatët me vlerë deri në 3.5 miliardë dollarë

1 August, 2025
Sllovenia bëhet shteti i parë evropian që i vendos embargo të plotë armësh Izraelit

Sllovenia bëhet shteti i parë evropian që i vendos embargo të plotë armësh Izraelit

1 August, 2025
Tmerr në aeroportin e Korfuzit, goma e avionit shpërthen gjatë ngritjes

Tmerr në aeroportin e Korfuzit, goma e avionit shpërthen gjatë ngritjes

1 August, 2025
Kosova heq tarifën prej 10% ndaj SHBA-së

Kosova heq tarifën prej 10% ndaj SHBA-së

1 August, 2025

Popular Stories

  • Tronditet Britania, gardiania e burgut s*ks në qeli me të dënuarin, dalin pamje

    Tronditet Britania, gardiania e burgut s*ks në qeli me të dënuarin, dalin pamje

    5365 shares
    Share 2146 Tweet 1341
  • Arratisja e Havzi Nelës dhe letra që la në kufi në natën e 26 prillit 1967

    2870 shares
    Share 1148 Tweet 718
  • Arrestohet në Londër shqiptarja e shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, ja për çfarë akuzohet

    2679 shares
    Share 1072 Tweet 670
  • Nga Av. Naim Hasani/ “Kush ka hyre ilegalisht ne Britani, nuk do te behet asnjehere shtetas Britanik”

    2016 shares
    Share 806 Tweet 504
  • Tjetër sulm në Angli/ Qëllohet me thikë një grua dhe vajza 11-vjeçe në Leicester Square

    1896 shares
    Share 758 Tweet 474
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • Maqedonia
  • UK
  • Bota
  • Sport
  • Rajoni
  • Diaspora
  • Lajme te tjera
  • Live TV
  • Kontakto
  • Lajme

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • Maqedonia
  • UK
  • Bota
  • Sport
  • Rajoni
  • Diaspora
  • Lajme te tjera
  • Live TV
  • Kontakto
    • Terms and Condition
    • Termat dhe Kushtet
  • Lajme

© 2023 ALBUKTV.COM