Vaksina kundër koronavirusit do të arrijnë në muajin shkurt në Maqedoninë e Veriut, pasi Shkupi firmosi me Pfizer për 800 mijë vaksina. Por kryeministri Zaev shpreson te solidariteti evropian për vaksinat, pasi dërgesa e parë e vaksinave me 5850 doza nuk mjafton as për personelin mjekësor.
“Prandaj ne kërkuam të paktën 5% të asaj që kanë vendet anëtare, ta ndajnë me Ballkanin Perëndimor, dhe vaksinimi të mund të vazhdojë pa ndërprerje në vendet anëtare të BE-së, dhe do të mbërrijë edhe dërgesa e dytë, dhe ndërkohë do të kenë solidaritet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Unë me të vërtetë pres të shoh solidaritetin e BE-së, këto ditë, sepse është një nga mënyrat më të sigurta për të marrë vaksinën që në janar” deklaroi Zoran Zaev.
Zaev dje njoftoi se ka negociata edhe me Kinën për furnizimin me 200 mijë vaksina dhe autoritetet shëndetësore njoftuan se deri në fund të vitit do të mbërrijnë 800 mijë vaksina nga Fajzer.
Në pritje të vaksinave të para, raporti i fundit javor nga Instituti i Shëndetit Publik tregon një ulje prej 30% të numrit të të infektuarve me covid-19 krahasuar me javën e kaluar në Maqedoni. Gjithashtu ka një rënie prej 27% të vdekshmërisë për të njëjtën periudhë./