Më 2 qershor, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi projektligjin për rritje të tavanit të borxhit të SHBA-së, duke mundësuar që qeveria amerikane të vazhdojë të paguajë faturat e saj.
Propozimi u miratua me 63 vota pro dhe 36 kundër, katër ditë përpara se SHBA të falimentonte.
Sipas procedurës, Ligji duhet të nënshkruhet nga presidenti amerikan Joe Biden.
“Sonte, senatorët nga të dyja partitë votuan për të mbrojtur përparimin ekonomik të arritur me vështirësi dhe për të parandaluar falimentimin e parë ndonjëherë të Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti Biden.
Dhoma e Përfaqësuesve e kaloi ligjin me mbështetje të gjerë nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë të mërkurën, për të lejuar qeverinë të vazhdojë të marrë hua më shumë para për të përmbushur detyrimet e saj financiare, duke tejkaluar tavanin aktual të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh.
Autoriteti i huamarrjes do të zgjatet deri më 2 janar 2025, dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Për më tepër, projektligji kërkon mbajtjen e shumicës së shpenzimeve federale në nivelet aktuale gjatë vitit të ri fiskal që fillon në tetor, me një rritje prej 1 për qind gjatë 12 muajve të ardhshëm.
“Gjëja përgjegjëse për Amerikën është ta miratojë atë”, tha senatori demokrat Dick Durbin përpara votimit.