Shpaloset Mozaiku Kushtuar Themeluesit të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani Në Universitetin e Tetovës u shpalos mozaiku kushtuar figurës historike të themeluesit dhe Rektorit të parë të këtij universiteti, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Kjo vepër artistike, e realizuar nga profesorët e Fakultetit të Arteve të UT-së, Prof. Ord. Reshat Ameti dhe Prof. Ord. Melik Arsllani, u prezantua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të Universitetit të Tetovës. Drejtuesit e UT-së e cilësuan këtë krijim si një përjetësim artistik të kontributit të jashtëzakonshëm të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit për zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Sipas tyre, kjo vepër do të shërbejë si orientim dhe frymëzim për të tashmen dhe të ardhmen e studentëve, si dhe të inteligjencës shqiptare në rajon dhe më gjerë. Mozaiku është realizuar në formën e një poliptiku, duke përfshirë një kompozim të përbërë nga një qendër dhe 30 piktura të ndërlidhura. Në qendër të veprës është portreti i Rektorit të parë, i paraqitur me qëndrimin e tij karakteristik – me duar të hapura, duke mbajtur një laps dhe një fletore.
Ai shfaqet si një figurë e butë dhe studiues, me krenari dhe vizion që reflekton në shpirtin njerëzor dhe qytetërues, ndërsa veshja e tij simbolizon qëndrueshmëri dhe dinjitet. Në sfondin e mozaikut paraqitet godina madhështore e Universitetit të Tetovës, ndërsa pikturat anësore përmbajnë motive nga 30 libra, që simbolizojnë tri dekada të suksesshme të këtij institucioni arsimor.