Policia e Tiranës njofton se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë disa shtetas, për përfshirje në akte dhune fizike dhe mosbindje ndaj urdhrave të policisë, në ngjarje të ndryshme të ndodhura në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 janë referuar materialet në Prokurori për shtetasit K. Sh., 28 vjeç dhe A. K., 19 vjeç. Të dy këta shtetas dyshohet se kanë goditur me grushte një 21-vjeçar, për motive të dobëta.
Nga Komisariati Nr. 4, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç, pasi kanë goditur me shuplakë një 13-vjeçar, gjithashtu për motive të dobëta.
Ndërkohë, Komisariati i Policisë Nr. 6 ka nisur procedim penal për tre shtetas të tjerë:
– A. L., 36 vjeç, i cili ka goditur me grusht një 43-vjeçar;
– B. S., 25 vjeç, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar dhe e ka kanosur atë me fjalë;
– R. Ç., 64 vjeç, i cili ka goditur me grusht një 69-vjeçar, për shkak të një konflikti të çastit.
Po ashtu, më datë 18 prill 2025, një 30-vjeçar me inicialet K. I. ka kallëzuar se është sulmuar fizikisht dhe është kanosur nga dy persona të paidentifikuar në zonën e Unazës së Madhe. Policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.