Vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, është dëmtuar nga një shpërthim i dyshuar paraditen e 30 prillit.
Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se në orën 10:00 pranuan informacionet ldhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë, që ishte në parkingun e QKUK-së.
“Aktualisht nuk raportohet për të lënduar, përveç dëmeve materiale”, thanë nga Policia.
Ndërkaq, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se “dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura”.
SHSKUK-ja tha se dëmtimi i veturës private ndodhi në kohën kur po bëheshin përgatitjet e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të këtij institucioni, “e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së”.
“SHSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”, u tha në njoftim.
Nga Policia e Kosovës thanë se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se po trajtojnë rrethanat e këtij incidenti./ REL