Luftime të ashpra po vazhdojnë të zhvillohen mes forcave ukrainase dhe atyre ruse, në veçanti në rajonet që pjesërisht kontrollohen nga Kremlini.
Në një video të filmuar nga ajri, shfaqet momenti kur një depo municioni në rajonin e Khersonit hidhet në erë së bashku me disa ushtarë rusë që ishin brenda saj.
Po cilësohet si një nga shpërthimet më të mëdha që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku një depo me municion të ushtrisë ruse hidhet në erë nga raketat e ushtrisë ukrainase.
Lokacioni i saktë nuk dihet për shkaqe sigurie, ndërsa ushtria ukrainase thotë se nga ky sulm janë vrarë edhe dhjetëra ushtarë rusë, që gjendeshin në momentin e shpërthimit brenda depos.
Në anën tjetër, Kievi ka njoftuar se këtë javë kanë arritur të çlirojnë dhjetëra fshatra që ishin deri më tani nën kontrollin e rusëve.
E mobilizimi i pjesshëm i Putinit duket se nuk është duke e ndihmuar presidentin rus, pasi shumë prej tyre që janë ftuar si rezervistë për të shkuar në luftë, janë larguar në shtetet fqinje si Gjeorgjia, Armenia, Kazakistani e Turqia.