Astronomët kanë vëzhguar për herë të parë një shpërthim masiv të lëshuar nga një yll përtej sistemit tonë diellor, një fenomen që në Tokë do të ishte i krahasueshëm me një stuhi diellore, por në një shkallë shumë më të madhe dhe shkatërruese. Zbulimi i ri, i publikuar në revistën Nature, përshkruhet si një moment historik në astrofizikë.
Shkencëtarët thonë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa mund të shkatërronte atmosferën e çdo planeti që rrotullohej pranë yllit. Ngjarja mendohet të ketë qenë një nxjerrje masive koronale, një shpërthim i dendur plazme dhe fushe magnetike, i ngjashëm me ato që prodhon Dielli ynë, por shumëfish më energjik.
Në sistemin tonë diellor, stuhitë diellore mund të ndikojnë në fushën magnetike të Tokës, krijojnë aurora polare dhe mund të prishin komunikimet, rrjetin elektrik apo funksionimin e satelitëve. Por në rastin e këtij ylli, pasojat do të ishin shumë më shkatërrimtare.
Ylli në fjalë, i quajtur StKM 1-1262, është një xhuxh i kuq i vendosur rreth 130 vite dritë larg Tokës. Sipas studiuesve, ai është jashtëzakonisht aktiv në aspektin magnetik.
“Ylli sillet si një kovë plazme jashtëzakonisht e magnetizuar dhe e vluar. Ky shpërthim ishte 10 deri në 100 mijë herë më i fuqishëm se shpërthimi më i fortë që mund të prodhojë Dielli”, deklaroi bashkëautori i studimit, Cyril Tasse.
Ky zbulim ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë sjelljen e yjeve aktive, ndërsa kërkojnë të përcaktojnë nëse ndonjë planet përtej sistemit tonë diellor është potencialisht i banueshëm për jetë.




