Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur sërish në Islandën jugore për shkak të një tjetër shpërthimi vullkanik në Gadishullin Reykjanes – i katërti që nga dhjetori. Mendohet se ky është shpërthimi më i fuqishëm deri tani, ndërkohë që lava ka arritur në mbrojtjen lindore rreth qytetit të evakuuar të Grindavik. Hapësira ajrore e Islandës mbetet e hapur, ndërsa aeroporti Ndërkombëtar Keflavik dhe aeroportet e tjera rajonale nuk janë prekur nga shpërthimi.
Gjeofizikanti Magnus Tumi Gudmundsson, i cili ishte ndër ata që fluturuan mbi zonat e prekura me një helikopter, tha për mediat lokale se shpërthimi i së shtunës ishte më i fuqishmi deri më tani. Gudmundsson tha se ishte e mundur që llava të mund të derdhej në det, por kjo mund të mos ndodhë nëse aktiviteti vullkanik lehtësohet. Einar Bessi Gestsson, një ekspert i fatkeqësive natyrore në Agjencinë Meteorologjike Norvegjeze, i ka thënë transmetuesit publik të Islandës RUV se gaze të rrezikshme dhe shpërthime të vogla mund të ndodhin nëse llava bie në kontakt me ujin e detit.
Ndërkohë, llava që lëviz në perëndim thuhet se ka arritur në rrugën Grindavikurveg që çon në Grindavik, duke u nisur në drejtim të Lagunës Blu dhe termocentralit gjeotermik Svartsengi, i cili siguron ujë të nxehtë për pjesën më të madhe të gadishullit Reykjanes. Ka shqetësime se kabllot me fibra optike në rrugë mund të dëmtohen – duke shkaktuar ndërprerje në shërbimet telefonike dhe të internetit. Rreth 4,000 banorët e qytetit u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm rreth një muaj më parë pasi një shpërthim në janar solli përhapjen e lavës deri në qytet duke shkatërruar tre shtëpi.
Islanda ka 33 sisteme vullkanike aktive dhe ndodhet mbi atë që njihet si Kreshta e Mesme të Atlantikut, kufiri midis dy prej pllakave tektonike më të mëdha në planet. Hera e fundit që Gadishulli Reykjanes pati një periudhë aktiviteti vullkanik ishte 800 vjet më parë dhe shpërthimet vazhduan për dekada. Ky është tani shpërthimi i shtatë që nga viti 2021 dhe shkencëtarët besojnë se zona po hyn në një epokë të re vullkanike që mund të zgjasë për dekada apo edhe shekuj.