Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas shpërthimit në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti thotë se Serbisë dhe qarqeve të caktuara që janë mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shkruar se rrugë tjetër nuk ka. Sipas tij, sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës.
Ai ka thënë se personat që e bënë krimin sot në Liqenin e Ujmanit do të dalin para drejtësisë.
“Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka pohuar Kurti.
Nga sulmi i sotëm janë dëmtuar dy vetura njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane. Njësitë policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin.