Ndeshja e djeshme mund të ishte ajo e fundit e rëndësishme për Leo Messin. Por lojtari që me Cristiano Ronaldon ka dominuar skenën e futbollit botëror për më shumë se 15 vite, dje tregoi edhe njëherë që jo vetëm që nuk ka ndërmend të mënjanohet, por që mund të udhëheqë sërish Argjentinën drejt finales.
Gjeniu 35-vjeçar nga Rosario dje kishte arsye të ndryshme për t’u krenuar, pas fitores 2-0 me Meksikën.
Jo vetëm shpresat e Argjentinës për kualifikim janë ende të gjalla, pas humbjes së papritur me Arabinë Saudite në debutim, por me dy golat e realizuar “Pleshti” ka arritur mitin e tij Diego Armando Maradona, me 8 gola në pjesëmarrjet në Botëror, po ashtu në ndeshjet e luajtura, që janë 21 për të dy “jashtëtokësorët”.
Jo vetëm, por ai është njëkohësisht futbollisti më i ri (18 vjeç dhe 357 ditë) dhe më i vjetër (35 vjeç 155 ditë) që ka shënuar një gol dhe dhënë të paktën një asist në historinë e Botërorit nga viti 1966.
“Ishte një ndeshje e vështirë, Meksika po luante mirë, por ne duhet të fitonim me çdo kusht, dhe kjo na ngurtësoi në pjesën e parë. Tashmë jemi rikthyer, por nuk mund të gabojmë më”, ishin fjalët e talentit nga Rosario pas ndeshjes.
Argjentina duhet të përballët në ndeshjen e fundit të grupit me Poloninë e Lewandowskit, ku do t’i duhet patjetër një fitore për të qenë të qetë për kualifikim.