Shqetësime për rritjen e tensioneve, shtyhet sërish afati për lirimin e objektit komunal në Mitrovicën e Veriut

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, bëri të ditur se ka shtyrë sërish zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe.

Është hera e dytë që kjo komunë shtyn vendimin, mes shqetësimit të ndërkombëtarëve për ndikimin e mundshëm të këtij vendimi në situatën e sigurisë.

 “Inspektorati Komunal duhet të sjellë Raportin brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas pranimit të të cilit e pas vlerësimit të të gjeturave të cilit, ky Vendim ekzekutohet përmes procedurës përmbarimore, nëse palët kanë refuzuar lirimin vullnetar të objektit”, thuhet në vendimin e komunës.

Në ndërtesën e diskutueshme veprojnë katër institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe i ashtuquajturi Qarku Administrativ i Mitrovicës.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha të premten se nuk ka asnjë diskutim që serbët t’ua lënë ndërtesat atyre që nuk u ka takuar ndonjëherë.

Lista Serbe kanë thënë se nuk do ta lirojnë ndërtesën komunale që menaxhohet nga strukturat e Serbisë në Mitrovicën e Veriut dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ata i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që, siç thanë ata, “të parandalojë regjimin e Prishtinës që të përshkallëzojë situatën dhe të shkaktojë tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës të bashkërendohet për të gjitha veprimet që lidhen me komunat veriore, duke theksuar se vendimi i autoriteteve në Mitrovicën e Veriut bie ndesh me përpjekjet për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Nga ana tjetër edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha një ditë më parë pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në selinë e NATO-s në Bruksel, se është thelbësore të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në veri të Kosovës ndërsa i kërkoi autoriteteve në Prishtinë të bashkërendohen me mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet në veri.

Share This Article