Vajza e vogël e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-Un po trajnohet fshehurazi për të pasuar babain e saj, shëndeti i të cilit ka filluar të bëhet një shqetësim serioz për shkak të peshës së tepërt, alkoolit dhe cigareve.
Këtë e raporton CNN, duke cituar disa burime, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se mosha e vajzës së Kim Jong-Un është nga 12 deri në 13 vjeç.
Sipas një raporti të shërbimit të inteligjencës kombëtare të Koresë së Jugut, Ju Ae do të jetë një pasuese e mundshme e babait të saj.
Në të kaluarën, në më shumë se 60% të rasteve, Ju Ae shoqëronte babanë e saj në ngjarje ushtarake dhe merrte pjesë vetëm pjesërisht në aktivitete ekonomike. Në të njëjtën kohë, inteligjenca nuk përjashton që pasardhësi i udhëheqësit të Koresë së Veriut mund të ndryshojë.
Autoritetet e Koresë së Jugut pretendojnë se Kim Jong-un peshon 140 kg dhe indeksi i masës trupore të tij është rreth 40, që është dukshëm më i lartë se standardi (25), gjë që e vë atë në rrezik të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.
“Ai filloi të shfaqte simptoma të presionit të lartë të gjakut dhe diabetit kur ishte rreth 30 vjeç dhe nëse gjendja e tij aktuale shëndetësore nuk përmirësohet, ai mund të zhvillojë sëmundje kardiovaskulare. Mund të ketë situata që janë të vështira për t’u trajtuar vetëm me ilaçet ekzistuese“, thuhet në raport.