Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 25 raste të reja me koronavirus ndërsa një 71 vjeçar ka humbur jetën. Ndërkohë listës të personave të shëruar iu kanë shtuar edhe 11 pacientë duke e çuar numrin e të shëruarve në Shqipëri, në 356.
“Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 71-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç’rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë duke e çuar numrin e qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje në 27”, deklaroi Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë.
Në Kosovë deri mbrëmë, janë shënuar 604 raste me koronavirus, ndërkohë rreth 6 për qind janë staf profesional mjekësor. Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë Lindita Ajazaj Berisha tha se pesë infermierë janë shëruar dhe janë duke u rehabilituar edhe për një kohë në shtëpitë e tyre. Në këtë Klinikë janë të hospitalizuar 58 pacientë të infektuar me koronavirus.
“Ne sot në klinik i kemi të spitalizuar 58 raste dhe që janë të konfirmuar COVID pozitiv, prej tyre 46 janë në gjendje stabile prej tyre 11 janë në oksigjenoterapi dhe për momentin janë duke u menaxhuar në repartet e izolimit të Klinikës Infektive”, deklaroi Lindita Ajazaj Berisha, Drejtoreshë e Klinikës Infektive.
Në Serbi nga ana tjetër numri i personave të shëruara nga koronavirusi vijon me rritje të shpejtë. Janë mbi 1 mijë persona që kanë fituar betejën kundër pandemisë. Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar edhe 4 viktima të tjera duke e çuar numrin total në 134. Gjithsej në të gjithë Serbinë numërohen 7,114 të infektuar.
Italia po vijon me hapa pozitivë drejt uljes së bilancit tragjik të shkaktuar nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 437 viktima dhe 3,370 raste të reja. Edhe numri i pacientëve në radhët e terapisë intensive është ulur, ku ditën e sotme numërohen 87 më pak.
Britania ka shënuar një rritje të djeshme të viktimave nga koronavirusi. Sipas Departamentit të Kujdesit dhe Shëndetit, gjatë 24 orëve të fundit 759 pacientë humbën jetë. Numri total i vdekjeve tashmë ka shkuar në 18,100.
Spanja regjistroi në 24 orët e kaluara edhe 435 viktima nga koronavirusi. Kjo shifër, që është pak më e lartë se në 24-orëshin paraprak, e çon në 21,717 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se qeveria e tij planifikon që në gjysmën e dytë të majit të nisë lehtësimin e masave të izolimit, të ndërmarra për frenimin e pandemisë së koronavirusit. Në nivel botëror nga koronavirusi ka të prekur mbi 2 milion e 500 mijë persona, ndërsa mbi 710 mijë janë shëruar.