Albania
Shqipëri-Serbi, policia “blindon” Tiranën! Zbulohet plani i masave: Pajisje anti-dronë, 5 vite burg për shkeljet
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet të shtunën, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Ky plan përfshin “blindimin” total të kryeqytetit, falë masave të rrepta të sigurisë për të dyja skuadrat, ku parashikohet eskortimi i ekipeve kombëtare, kontrolle të imtësishme në ambientet e stadiumit dhe në qytetin e Tiranës, pajisje anti-dronë si dhe menaxhimi i trafikut rrugor në zonat përreth stadiumit.
Në kryeqytet nga ora 15:00 e datës 7 qershor deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore përreth stadiumit “Arena Kombëtare”, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Gjergj Filipi”, “Lekë Dukagjini”, “Faik Konica”, “Skerdilajd Llagami”.
Po ashtu policia sqaron se parkimi për tifozët do të organizohet në pika të caktuara në varësi të drejtimit nga vijnë, ndërsa do të kryhen kontrolle të detajuara ndaj tifozëve për të parandaluar futjen e sendeve të rrezikshme si fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, objekte të forta, çadra, çakmakë dhe produkte kozmetike. Ndalohet gjithashtu ngritja e dronëve në perimetrin e stadiumit, me paralajmërimin se çdo dron do të rrëzohet me pajisje speciale anti-dron, ndoshta për të shmangur incidente si ai i vitit 2014 në sfidën që u luajt mes dy kombëtareve në Beograd.
Gjithashtu, tifozëve u kërkohet të paraqiten në hyrje të stadiumit që në orën 18:00, për të shmangur vonesat për shkak të kontrolleve. Po ashtu, Policia apelon që biletat të mos publikohen në rrjetet sociale, pasi ato janë personale dhe me barcode të gjurmueshme dhe çdo përpjekje për dublikim do të konsiderohet falsifikim dhe ndëshkohet sipas Kodit Penal.
Uniformat Blu nënvizojnë se çdo akt dhune, futje në fushë pa autorizim apo përdorim i mjeteve të rrezikshme gjatë ndeshjes përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 5 vjet, në varësi të rrethanave.
NJOFTIMI:
Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.
Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të përfshira në këtë plan masash. Në planin e masave parashikohen:
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.
Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
Albania
Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit
SHARE
Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën.
Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore.
Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale.
Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave.
Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024.
Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%.
Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.
Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.
Edhe në vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme.
Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut.
Monitor
Albania
Programi, “take-away” pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme
Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.
Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.
Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.
Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.
Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.
Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.
Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.
Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.
Monitor
Albania
Veshjet e Gabit dalin nga moda, bien importet
Nga një treg që në vitet 2015-2016 gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, në pesë vitet e fundit, importet e veshjeve të përdorura nuk arrijnë më shumë se 10 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë tkurrje të këtij tregu ndër vite, pavarësisht se në terren vërehet shtim i dyqaneve të vogla për veshje të përdorura. Në periudhën janar-gusht 2025, sasia e importit të veshjeve të përdorura arriti rreth 4,630 tonë, duke shënuar rënie me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në terma vlerash, importet për janar-gusht 2025 ishin 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se në janar-gusht 2024.
Në vitin 2020, importet e veshjeve të përdorura ranë në vlerën më të ulët për periudhën 2020-2024, në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë Covid-19. Pas këtij viti, importet u rritën dhe në 2021 arritën në 10.5 milionë euro, ose 22% më shumë se në 2020. Megjithatë, tendenca në vitet pasuese ishte në rënie, dhe në 2024 vlera e importeve u ul sërish në 8.6 milionë euro, apo 7% më pak krahasuar me 2023.
Në Tiranë, janë të shumta dyqanet që tregtojnë veshje të përdorura, të njohura ndryshe si “veshjet e Gabit”. Ky treg ka pësuar transformim vitet e fundit duke kaluar nga tregtimi në tezgë në tregtimin në ambiente dyqanesh ku produktet ekspozohen më mirë.
Shtimi i dyqaneve të vogla është nxitur nga leverdishmëria e biznesit, ku veshjet e kategorisë së parë ose “të dorës së parë” blihen me çmime prej rreth 1,000 lekësh për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë, me çmime nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Çdo copë tregtohet në pakicë me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, njohëse e tregtimit të veshjeve të përdorura, e pranishme në treg prej 15 vitesh me dyqan në Tiranë, thotë se një tjetër arsye e rritjes së numrit të dyqaneve është se ky biznes kërkon investim fillestar relativisht të ulët, nga 100 deri në 200 mijë lekë për ngritjen e tezgave dhe furnizimin me mall.
Ajo e lidh me dy faktorë kryesorë tkurrjen e kërkesës për këto veshje: cilësinë e ulët të mallrave në dengjet për tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato, si dhe rritjen e blerjeve online, sidomos nga vajzat e reja.
“Në furnizimet e dengjeve që bëjmë, gjejmë gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë nxitnin njerëzit të blinin veshje të përdorura. Për shembull, në një deng mund të ketë vetëm 1-2 copë veshje markash të shtrenjta. Xhupat po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen firmato, ndërsa markat kryesore nuk parapëlqehen për veshjet e përdorura. Në furnizimet tona nuk kemi xhupa firmato, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë shumë. Në përgjithësi, kërkesa për veshje të përdorura është ulur, pasi vajzat e reja zgjedhin të blejnë online. Kategoria që blen më shumë veshje të përdorura janë gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke”, shpjegon Zamira.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania7 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK7 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
