KQZ i ka dërguar Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë disa rekomandime mbi plotësimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votimin nga jashtë vendit.
Sipas kësaj shkrese të dërguar nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, institucioni që ai drejton konfirmon gatishmërinë për të dhënë çdo kontribut që do të kërkohet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore apo Kuvendi i Republikës së Shqipërisë lidhur me çështje të natyrës rregullatore dhe teknike sa i takon realizimit të votimit nga jashtë
“Sikurse mund të jeni në dijeni, Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr. 38 datë 09.12.2022 (V-38/22) në lidhje me votimin nga jashtë vendit ka vendosur: Pranimin e pjesshëm të kërkesës së kërkuesit Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.
Konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.
Sikurse mund të kuptohet edhe nga urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i boshllëkut ligjor në lidhje me votimin nga jashtë sa më shpejt të jetë e mundur, krijon kushtet objektive për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e akteve përkatëse nënligjore, si dhe përgatitjen e kushteve për realizimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e radhës për Kuvendin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon gatishmërinë për të dhënë çdo kontribut që do të kërkohet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore apo Kuvendi i Republikës së Shqipërisë lidhur me çështje të natyrës rregullatore dhe teknike sa i takon realizimit të votimit nga jashtë”.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi
Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e disa shoqatave të diasporës, për të interpretuar ligjin themeltar të vendit, për ta konkretizuar votën në vendet ku ata jetojnë.
Në një vendim të marrë në fund të muajit dhjetor, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka refuzuar të kalojë për shqyrtim kërkesën e shoqatave të diasporës, që kërkonin që Kuvendi të urdhërohet për të plotësuar draftin ligjor për ta bërë të mundur këtë çështje.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në argumentet e tij thekson se e drejta për emigrantët është e garantuar dhe shteti duhet të lehtësojë ardhjen e tyre ditën e votimeve në Shqipëri.
Sipas organizatës kërkuese në Kushtetuese,
“Megjithëse Kodi Zgjedhor për herë të parë parashikoi votimin nga jashtë, ky parashikim mbeti i pazbatuar për shkak të mosmiratimit të akteve nënligjore, duke iu kufizuar kështu të drejtën aktive të votës shqiptarëve me banim jashtë territorit të Shqipërisë”.
Kurse argument i Kolegjit thekson se:
“Shtetasit shqiptarë emigrantë gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, të parashikuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, duke marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit. Shteti krijon lehtësi për emigrantët që kthehen në atdhe për të ushtruar të drejtën e votës në zbatim të Kodit Zgjedhor”.
Sipas Kushtetueses, është KQZ-ja ajo që ka në dorë për ta vulosur procesin e votës së emigrantëve dhe menjëherë kur ajo kryhet, merr formë të plotë në ço zgjedhje tjetër.
Në fakt, e gjithë kjo shprehje e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese është një fakt de jure, por deri tani askush nuk po e zbaton këtë vendim. Ndaj Gjykata Kushtetuese, me një vendim apo shprehje të saj mund të kishte vënë para detyrimin, si Kuvendin ashtu edhe Komisionin Qendror.