Policia e Tiranës njofton se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00 nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet.”
Sipas njoftimit, do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugë të tjera.
Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në qarkullim dhe për të garantuar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Njoftimi i Lëvizja “Shqipëria Bëhet” lidhur me protestën
Përshëndetje.
Nesër, e diel-ORA 12:00, protestojmë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij sepse:
1. Mbron publikisht Belinda Ballukun, pavarësisht fakteve dhe hetimeve për abuzime të rënda dhe keqpërdorim të fondeve publike.
2. Drejton një sistem të korruptuar, ku vjedhjet dhe skandalet dalin kudo ku ka hetime.
3. Ka lënë shqiptarët pa ilaçe jetike, duke e kthyer shëndetësinë në privilegj për ata që paguajnë.
4. Ka varfëruar pensionistët dhe i ka lënë me pensione që nuk mbulojnë as nevojat bazë.
5. Ka shkatërruar arsimin dhe të ardhmen e të rinjve, duke i detyruar të largohen nga vendi.
6. Ka rritur koston e jetesës, ndërsa pagat mbeten minimale.
7. Ka kapur institucionet dhe ka shkatërruar besimin te zgjedhjet e lira dhe demokracia.
KËRKOJMË:
– Dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës;
– Një qeveri tranzitore me profesionistë të pavarur;
– Mandat 12-mujor për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

