Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan sot gjatë Ministerialit të mbajtur në Tiranë, një Deklaratë Bashkëpunimi. Tre ministrat konfirmojnë angazhimin për të bashkuar përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Deklarata u firmos nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, Michael Tomlinson, ministër Shteti në Briani dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Tre vendet partnere, përmes dokumentit nënvizojnë se përballen me sfida të përbashkëta, nisur nga migracioni i paligjshëm tek krimi i organizuar. Në Deklaratë thuhet se bashkëpunimi i zgjeruar në nivel operacional midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta, do të ndihmojë në çmontimin e grupeve kriminale që lehtësojnë kalimet e paligjshme të kufirit duke shfrytëzuar migrantët dhe refugjatët vulnerabël.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria sjellin ndërmend Komunikatën e Përbashkët të vitit 2022, e cila u fokusua në masat e zgjeruara për të trajtuar migracionin e paligjshëm.
Kjo përfshinte krijimin e një Task Force të Përbashkët të Migracionit Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri dhe rezultoi në uljen e mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare me 90% në vitin 2023.
Megjithatë, përmes dokumentit të firmosur sot, ministrat theksojnë se krimi i organizuar i imigracionit mbetet akoma sfidë, duke përfshirë transitin e shtetasve të vendeve të treta brenda Ballkanit Perëndimor dhe në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Kosova i bashkohet Task Forcës së Përbashkët të Migracionit për të ofruar një reagim të përbashkët të zbatimit të ligjit ndaj migrimit të paligjshëm. Kjo do të mundësojë rritjen e aktivitetit të përbashkët operacional dhe rritjen e niveleve të shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit.