Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll është dënuar me një ndeshje pa shikues dhe ka marrë një gjobë prej 150 mijë frangash nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s për shkak të ngjarjeve që ndodhën në duelin ndaj Polonisë.
Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të enjten mbrëma. Ky dënim ka ardhur pas incidentit në duelin që Shqipëria e luajti në shtëpi kundër Polonisë në stadiumin “Air Albania” në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Ky takim i ndërpre për më shumë se 15-të minuta pasi tifozët shqiptarë gjuajtën me shishe plastike në drejtim të futbollistëve polakë që po festonin golin.
“Federata Shqiptare e Futbollit është njohur mbrëmjen e sotme me vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, e luajtur më datë 12 tetor 2021 në Air Albania Stadium. Vendimi i sotëm ndëshkon Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyron që të luajë ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Bazuar në këtë vendim, Shqipëria ndeshjen e fundit eliminatore të “Katari 2022” ndaj Andorrës (15 nëntor) e luan pa praninë e tifozëve në Tiranë.