Shqipëria dhe Kosova renditen në krye të Evropës për nivelin e pronësisë së banesave, duke lënë pas të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2024, të kombinuara me burime ndërkombëtare si Statista, Visual Capitalist dhe Landgeist, tregojnë se norma e pronësisë së banesave arrin në 95.9–96% Shqipëri dhe rreth 97.8% në Kosovë.
Sipas analizës së Albanian Tax-Economic Center (ALTAX), këto shifra përfaqësojnë nivelin më të lartë të pronësisë së banesave në gjithë kontinentin evropian. Për krahasim, mesatarja e Bashkimit Evropian qëndron në vetëm 68.4%, ndërsa edhe vendi me normën më të lartë brenda BE-së, Rumania, me rreth 95.3%, mbetet poshtë Kosovës dhe Shqipërisë.
Harta krahasuese e Evropës e bën këtë realitet vizualisht të qartë. Shqipëria dhe Kosova përfaqësojnë një model ballkanik të pronësisë pothuajse universale të banesave, shumë të ndryshëm nga modeli i vendeve të Evropës Perëndimore, ku një pjesë e madhe e popullsisë jeton me qira.
Sipas ALTAX, ky kontrast pasqyron dy filozofi të ndryshme të strehimit. Në Shqipëri dhe Kosovë, banesa shihet kryesisht si një aset sigurie sociale dhe ekonomike, për shkak të mungesës së strehimit social dhe të tregjeve të forta të qirasë. Në këtë kontekst, pronësia e banesës ka shërbyer historikisht si forma kryesore e mbrojtjes familjare ndaj pasigurisë ekonomike.
Megjithatë, ALTAX thekson se ky “lideriship” i Shqipërisë dhe Kosovës në pronësinë e banesave nuk duhet interpretuar automatikisht si tregues i mirëqenies. Rritja e çmimeve, urbanizimi, emigracioni i të rinjve dhe investimet spekulative mund të ndryshojnë gradualisht modelin e strehimit edhe në Shqipëri, duke e afruar me trendet e BE-së, por nga një pikënisje jashtëzakonisht e lartë.
Scantv.al

