Shqipëria do të ketë një ‘armë sekrete’ për kualifikueset e Botërorit

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kombëtarja e Shqipërisë do të ketë një “armë” të re në sulm, duke filluar nga ndeshjet e shtatorit: Cristian Shpendi.

Shpendi, i cili ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit me Cesean-n në Itali, vjen nga “Shpresat”. Ai tani duket gati për ekipin A, sidomos pas 11 golave që shënoi sezonin e fundit në Serie B.

Lajmin për afrimin e Shpendit në ekipin e parë e ka konfirmuar Drejtori Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Fulvio Pea.

Në një intervistë për “Radio Firenza Viola”, Pea foli për Shpendin, i cili kërkohet prej kohësh edhe nga Fiorentina, si dhe disa klube të tjerë në Serie A.

Fillimisht, Pea e ngriti në piedestal Shpendin duke thënë: “Është një sulmues i shpejtë, teknik dhe konkret. Di të shënojë, të sulmojë hapësirat dhe të ndihmojë skuadrën”.

“Edhe pse i ri, është i matur dhe ka shumë hapësirë për përmirësim. Golat e tij ndër vite flasin vetë”.

Më pas ai shtoi: “Ai së fundmi përfundoi kohën e tij me ekipin U-21 dhe tani do të përfshihet në ekipin kombëtar të të rriturve sepse është shumë premtues”.

22-vjeçari Shpendi ka lënë gjurmë të dukshme te Cesena që nga transferimi i tij në vitin 2020 dhe një vit më vonë në ekipin e parë.

Me ekipin e parë të Cesena-s, Shpendi ka realizuar 36 gola dhe tetë asistime në 101 ndeshje. Sezonin e fundit në Serie B ai përfundoi me 11 gola dhe një asist në 34 paraqitje.

Shqipëria do të luajë një ndeshje për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 në shtator. Një tjetër do të jetë në tetor. Kualifikueset mbyllen me dy sfidat e nëntorit.

Kalendari i kuqezinjëve:

Gjibraltar – Shqipëri: 4 shtator, ora 18:00 (miqësore);

Shqipëri – Letoni: 9 shtator, ora 20:45 (kualifikueset e Kupës së Botës 2026);

Serbi – Shqipëri: 11 tetor, ora 20:45 (kualifikueset e Kupës së Botës 2026);

Andorrë – Shqipëri: 13 nëntor, ora 20:45 (kualifikueset e Kupës së Botës 2026);

Shqipëri – Angli: 16 nëntor, ora 20:45 (kualifikueset e Kupës së Botës 2026).

Renditja

Në renditjen e Grupit K të kualifikueseve evropiane të Kupës së Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vendin e dytë.

Anglia është kryesuese e grupit me 9 pikë të plota, pas tre ndeshjeve të para. Kuqezinjtë janë të dytët me 5 pikë pas katër ndeshjesh.

Serbia është e treta me 4 pikë pas dy ndeshjeve të para. Letonia vjen në vendin e katërt me katër pikë pas tre ndeshjeve.

Në fund dhe pa asnjë pikë qëndron Andorra, e cila ka zhvilluar katër takime deri më tani.

Share This Article