Albania
Shqipëria i heq të gjitha masat anti-Covid
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka marrë disa vendime në mbledhjen e zhvilluar sot, në lidhje me disa nga masat anti-Covid.
Bazuar në situatën epidemiologjike e cila është përmirësuar, duke filluar nga 1 maji, do të hiqet detyrimi për të paraqitur dokumentin e vaksinës, dokumenti i testimi për SARS Cov2, dhe certifikata e shërimit për shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare.
Gjithashtu do të hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës por rekomandohet mbajtja e tyre në ambientet e mbyllura.
Një tjetër vendim i komitetit është lejimi i muzikës pas orës 23:00 dhe rihapja e klubeve të natës.
Gjatë fjalës së saj, zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se qytetarët mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sistem imunitar të kompromentuar, mund të kryejnë dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit.
Rakacolli nënvizoi se komiteti do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe këto masa do të vlerësohen në dinamikë duke u bazuar në nivelin e riskut në vend apo edhe në botë.
Albania
Veshjet e Gabit dalin nga moda, bien importet
Nga një treg që në vitet 2015-2016 gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, në pesë vitet e fundit, importet e veshjeve të përdorura nuk arrijnë më shumë se 10 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë tkurrje të këtij tregu ndër vite, pavarësisht se në terren vërehet shtim i dyqaneve të vogla për veshje të përdorura. Në periudhën janar-gusht 2025, sasia e importit të veshjeve të përdorura arriti rreth 4,630 tonë, duke shënuar rënie me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në terma vlerash, importet për janar-gusht 2025 ishin 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se në janar-gusht 2024.
Në vitin 2020, importet e veshjeve të përdorura ranë në vlerën më të ulët për periudhën 2020-2024, në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë Covid-19. Pas këtij viti, importet u rritën dhe në 2021 arritën në 10.5 milionë euro, ose 22% më shumë se në 2020. Megjithatë, tendenca në vitet pasuese ishte në rënie, dhe në 2024 vlera e importeve u ul sërish në 8.6 milionë euro, apo 7% më pak krahasuar me 2023.
Në Tiranë, janë të shumta dyqanet që tregtojnë veshje të përdorura, të njohura ndryshe si “veshjet e Gabit”. Ky treg ka pësuar transformim vitet e fundit duke kaluar nga tregtimi në tezgë në tregtimin në ambiente dyqanesh ku produktet ekspozohen më mirë.
Shtimi i dyqaneve të vogla është nxitur nga leverdishmëria e biznesit, ku veshjet e kategorisë së parë ose “të dorës së parë” blihen me çmime prej rreth 1,000 lekësh për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë, me çmime nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Çdo copë tregtohet në pakicë me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, njohëse e tregtimit të veshjeve të përdorura, e pranishme në treg prej 15 vitesh me dyqan në Tiranë, thotë se një tjetër arsye e rritjes së numrit të dyqaneve është se ky biznes kërkon investim fillestar relativisht të ulët, nga 100 deri në 200 mijë lekë për ngritjen e tezgave dhe furnizimin me mall.
Ajo e lidh me dy faktorë kryesorë tkurrjen e kërkesës për këto veshje: cilësinë e ulët të mallrave në dengjet për tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato, si dhe rritjen e blerjeve online, sidomos nga vajzat e reja.
“Në furnizimet e dengjeve që bëjmë, gjejmë gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë nxitnin njerëzit të blinin veshje të përdorura. Për shembull, në një deng mund të ketë vetëm 1-2 copë veshje markash të shtrenjta. Xhupat po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen firmato, ndërsa markat kryesore nuk parapëlqehen për veshjet e përdorura. Në furnizimet tona nuk kemi xhupa firmato, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë shumë. Në përgjithësi, kërkesa për veshje të përdorura është ulur, pasi vajzat e reja zgjedhin të blejnë online. Kategoria që blen më shumë veshje të përdorura janë gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke”, shpjegon Zamira.
Monitor
Albania
Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari
Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet gjithashtu me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj.
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag.
Konkretisht, nga janari 2026, çdo i punësuar me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.
Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura nga paga mujore. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë do të rritet në rreth 17,709 lekë në muaj, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh çdo muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.
Në terma praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë si për punonjësit ashtu edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë gjithashtu më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës.
Sipas relacionit të projektbuxhetit dhe të dhënave të administratës tatimore, kjo politikë do të sjellë rreth 9 miliardë lekë të ardhura shtesë për arkën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku 7.6 miliardë lekë pritet të vijnë nga sigurimet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga sigurimet shëndetësore.
Për vitin 2026, të ardhurat totale nga kontributet janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.
Megjithatë, për mijëra të punësuar me paga mbi 176 mijë lekë, ky ndryshim nuk përkthehet në përmirësim të të ardhurave, por në një ulje të drejtpërdrejtë të pagës neto.
Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale shndërrohet në një barrë shtesë fiskale për një segment të konsiderueshëm të forcës së punës, duke rritur koston e punës për bizneset dhe duke reduktuar të ardhurat mujore reale të punonjësve me paga mesatare dhe të larta, që nga muaji janar 2026.
Ekofin.al
Albania
Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin
Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.
Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.
Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.
Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.
Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.
Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.
“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.
Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike. MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania7 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK7 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
