Rreth 10 mijë vaksina kanë mbërritur në Rinas si dhuratë e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj ishin të pranishëm në Aeroportin e Rinasit për të pritur vaksinat.
Ata vlerësuan ndihmën e Emirateve të Bashkuara, ndërsa u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen.
“10 mijë dozat e vaksinës Sputnik, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë kanë mbërritur dhe do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin”, deklaroi Manastirliu.
Ndërsa ministri Ahmetaj u shpreh: “Në emër të qeverisë shqiptare falenderojmë qeverinë e Emirateve dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Na u gjendën me tërmetin, po gjenden edhe me Pandeminë”
Manastirliu nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vakinave.
“Komiteti i Iminizimit dhe gjithë strukturat të cilat merren me çertifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se deri tani janë vaksinuar mbi 11 mijë mësues. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 46,515 doza të vaksinës ndaj COVID19.
Janë kryer 27,334 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,753 vaksinime për të moshuar dhe 11,428 vaksinime për arsimtarët.