Çështja e parë që Shqipëria trajtoi si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte programi i raketave bërthamore i Koresë së Veriut.
Shqipëria iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe katër vendeve të tjera të Këshillit që i bënë thirrje Koresë së Veriut të ndërpresë testet raketore dhe të angazhohet në negociata për çarmatim bërthamorë.
Thirrja e përbashkët erdhi pak përpara se Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhej me dyer të mbyllura për të diskutuar testin e fundit raketor të Koresë së Veriut për të cilin Pheniani pretendon se përfshiu një raketë hipersonike të zhvilluar rishtazi.
“Ne qëndrojmë sot të bashkuar për të dënuar lëshimin më të fundit të raketës nga Koreja e Veriut. Vazhdimi i programit të armëve të shkatërrimit në masë dhe raketave balistike është një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thanë në një deklaratë të përbashkët, vendet e Këshillit të lexuar nga ambasadorja e ShBA Linda Thomas-Greenfield.
Koreja e Veriut tha të enjten e kaluar se testoi me sukses një raketë hipersonike.
Gjashtë vende të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë Shqipërinë, Britaninë, Francën, Irlandën dhe Japoninë, argumentuan se testimi i raketës jo vetëm që do të avancojë aftësitë e Veriut, por gjithashtu do të shtojë eksportet e paligjshme të armëve.