Fenomeni i emigrantëve të jashtëligjshëm që kalojnë nga Franca me gomone për në Britani është kthyer në shqetësim të madh.
Një metodë të tillë e ndjekin dhe një numër i madh të rinjsh shqiptarë. Pikërisht për këtë gjë, ka folur sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman.
Në intervistën e saj për gazetën Daily Telegraph, zyrtarja britanike ka renditur emrat e tre vendeve nga ku vijnë klandestinët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sigurisht, në renditjen e sekretares së Brendshme nuk mund të mungonte as vendi ynë. Sipas statistikave zyrtare, në gjysmën e parë të 2022, ardhjet nga tre vendet, Shqipëria, Afganistani dhe Irani përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të përgjithshëm të klandestinëve që kanë shkuar në Britani me gomone, nëpërmjet kanalit La Manshit duke vënë në rrezik jetën.
18% e klandestinëve që kanë shkuar këtë vit në rrugë ilegale në Angli kanë qenë shqiptarë, 18% nga Afganistani dhe 15% nga Irani.
Numri i shqiptarëve që kalojnë ilegalisht është rritur ndjeshëm që nga viti 2021.
Asokohe vendin e parë e mbanin iranianët me 30%, pasonin irakianët me 21% dhe sirianët me 9%, thotë sekretarja.