Qeveria shqiptare ka miratuar ditën e sotme një tjetër marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e vaksinave anti-Covid.
Për arsye që lidhen me sekretin tregtar, në vendimin e bërë publik nga qeveria theksohet se detaje nga marrëveshja nuk do të bëhen publike në asnjë ëebsite qeveritar apo dokument shtetëror.
VENDIMI:
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI
Neni 1
Miratimi i tekstit të marrëveshjes
Miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Overseas LLC, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në “Fletoren zyrtare”.
Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për këtë marrëveshje, sipas kushteve të tekstit të saj, bashkëlidhur këtij akti normativ.
Neni 2
Efektet financiare
Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.