Pas publikimit të renditjes së FIFA-s, janë zyrtarizuar vazot dhe procedurat e shortit për turneun që u mbajt sot, më 13 dhjetor, në Zyrih, duke filluar nga ora 12:00. Kampionati Botëror që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara do të jetë i pari në histori me 48 skuadra, me numrin e vendeve për kombëtaret evropiane që do të rritet nga 13 në 16. E shorti nuk kanë qenë i favorshëm, edhe këtë herë.
Pas dështimit në Nations League me rënien në Ligën C, Shqipëria ishte renditur mes skuadrave të përfshira në vazon e tretë. Së bashku me Shqipërinë në atë vazo janë edhe Skocia, Sllovenia, Republika e Irlandës, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Izraeli.
SHORTI I GRUPIT K
Shqipëria është shortuar në grupin e hekurt, duke gjetur kundërshtarë në Grupin K një superfuqi si Anglia dhe një rival të përjetshëm si Serbia. Dy njohje të vjetra, me të cilat përplasjet nuk na kanë munguar: nëse ndaj Tre Luanëve njohim vetëm humbje në 6 precedentët, të gjitha në kualifikueset e Botërorit, me Serbinë historia e vetme është ajo e kualifikueseve të Europianit 2016 dhe ngjarjen famëkeqe të Begradit, që shtynë kuqezinjtë drejt arritjes historike për herë të parë në finalet e një turneu madhor.
Letonia është kundërshtari i dalë nga vazo e katërt dhe kundër tyre është një rekord më vete për Guiness: kurrë asnjë prej skuadrave nuk ka mundur të kalojë njëra-tjetrën, duke barazuar në të 5 precedentët. Andorra është kundërshtari më i thjeshtë, duke qenë se kuqezinjtë ishin në një grup me 5 skuadra. Pikërisht kundër tyre kemi të vetmin bilanc pozitiv, por edhe një fakt negative: kundër kuqezinjve andorranët morën suksesin e tyre të parë në histori.
SI FUNKSIONON SHORTI
54 kombëtaret evropiane që marrin pjesë u ndanë në 12 grupe: 6 grupe me nga pesë skuadra dhe 6 grupe me nga katër skuadra. Natyrisht ka disa paqartësi, pasi tetë kombëtaret që kualifikohen në çerekfinalet e Nations League do të njohin kundërshtarët e tyre vetëm pas ndeshjeve të marsit.
Skuadrat që përfundojnë të parat në çdo grup do të kualifikohen drejtpërdrejt për Botërorin, ndërsa katër vendet e fundit do të caktohen përmes dy raundeve play-off mes 12 skuadrave të dyta dhe katër kombëtareve më të mira nga Nations League që nuk janë kualifikuar drejtpërdrejt ose nuk janë futur në play-off si të dyta.
SI ISHIN NDARË VAZOT E SHORTIT?
Vazo 1: Franca, Spanja, Anglia, Portugalia, Holanda, Belgjika, Italia, Gjermania, Kroacia, Zvicra, Danimarka, Austria.
Vazo 2: Ukraina, Suedia, Turqia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Rumania, Greqia, Sllovakia, Republika Çeke, Norvegjia.
Vazo 3: Skocia, Sllovenia, Republika e Irlandës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Izraeli.
Vazo 4: Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Kosova, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania.
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtejni, San Marino.