Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli deklaroi se në fillim të pranverës Shqipëria do të hapë negociatat me BE.
Në lidhje me hapjen e negociatave, Kodheli gjatë një interviste televizive tha se, “rrugëtimi i Shqipërisë për hapjen e negociatave ka në krah një vend sa mik, aq edhe fqinj, siç është Maqedonia e Veriut. Ne e kemi nisur këtë rrugëtim dhe tashmë jemi në këtë paketë europiane, Shqipëri-Maqedoni e Veriut dhe besoj që do vazhdojmë ta kemi të tillë, sepse e tillë është dhe strategjia europiane lidhur me Ballkanin Perëndimor”.
“Diku tërheqim ne, diku pengojmë ne, diku tërheqin ata, diku pengojnë ata dhe deri sa të gjejmë ekuilibrin prefekt në mënyrë që të dyja vendet të jemi absolutisht të gatshme dhe të suportuar dhe vendet e tjera për ta bërë këtë gjë. Kjo gjë do të ndodh dhe besoj se do të ndodh në fillim të pranverës së vitit tjetër”, tha ajo.
Kodheli tha se “ka një problem se Bullgaria ka vënë veton për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe kjo nuk është në të mirë të të dy vendeve edhe këtij procesi. Shpresoj fort që vende që kanë marrë përsipër të zgjidhin këtë çështje dhe mund të influencojnë pozitivisht në mënyrë që ky ngërç të zgjidhet, ndaj dhe besoj shumë këtë gjë”.
“Ndërkohë për ne politikisht do të thotë shumë por për çdo përgjigje të tillë ne duhet të thellohemi në reformat që duhen bërë. Ne duhet të gjejmë forca të brendshme dhe duhet ta gjejmë SHBA dhe perëndimin brenda në Shqipëri”, tha ajo.
Në lidhje me detyrën si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kodheli tha se kjo është një detyrë shumë e rëndësishme.
“Imagjinoni një asamble që ka delegacione nga të gjitha shtetet e Aleancës, që nga SHBA deri te Maqedonia e Veriut. Ka struktura, ka detyrime, objektiva të rëndësishme, nxjerr rezoluta, këshillon Sekretarin e Përgjithshëm dhe sigurisht është një nivel i lartë përfaqësie dhe nuk të vjen radha si Shqipëri për shkak të rolit të valencës gjeopolitike që Shqipëria ka brenda Aleancës si një vend i vogël, por radha vjen kur ti përfaqëson denjësisht vendin, ku në mënyrë të spikatur ngre probleme dhe në mënyrë të spikatur jep edhe zgjidhje për çfarë diskutohet në mbledhjet e radhës”, tha ajo./ATSH/