Në 24 orët e fundit Shqipëria ka regjistruar 21 raste të reja me Covid-19, të gjitha rastet janë paraqitur në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë pa raste të reja.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive.
“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend”, deklaroi Beqo.
Po ashtu, Beqo konfirmoi se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Gjatë 24 orëve të fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në Shqipëri, deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.