Shqiptarët vazhdojnë të kryesojnë numrin e të burgosurve në Britani, me 1,272 persona, më shumë se çdo kombësi tjetër.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, në fund të marsit 2024, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ishin 10,422 shtetas të huaj, të cilët përbëjnë rreth 12% të të gjithë të burgosurve. Secili nga këta të burgosur i kushton shtetit britanik 47,000 £ në vit për akomodimin, ushqimin dhe rehabilitimin e tij.
Në vitin 2024, vetëm 73 të burgosur të huaj janë kthyer në vendet e origjinës për të vuajtur dënimet e tyre, një rritje nga 33 që ishin në vitin 2023. Kjo tregon se shkalla e largimit të të burgosurve të huaj është rritur me 21% që nga korriku i vitit 2023 krahasuar me vitin paraardhës.
Pas shqiptarëve, polakët janë kombësia e dytë më e përfaqësuar në burgje me 906 persona, ndërsa rumunët e treta me 750 të burgosur.