Një tjetër emigrant shqiptar ka dalë fitues në zgjedhjet vendore në rreth 3800 komuna në Itali, të cilat përkuan me të njëjtën datë me zgjedhjet europiane.
Ai është Arli Dervishi kandidat në listën e Partisë Lidhja për këshillin e ri komunal të qytezës Almese në provincën e Torinos.
Shqiptari legist ka dalë i dyti në listën fituese e cila ka marrë rreth 60% të votave.
Arli Dervishi është mjaft i ri në moshë vetëm 23 vjeç, ka lindur në Itali, në qytezën Suza në provincën e Torinos, e është emigrant i brezit të dytë, djali i një familje emigrantësh shqiptarë të viteve ’90.
Arli Dervishi është i diplomuar në Universitetin e Torinos për shkencat ndërkombëtare- Studime Europiane.
Gjatë fushatës elektorale, Arli Dervishi i ka dhënë rëndësi rolit e zërit që duhet të kenë të rinjtë në politikbërjen e territorit e në institucionet përfaqësuese.
Prej disa kohësh ai është aktiv në jetën sociale të qytezës së tij ku ka ngritur një qëndër për angazhimin e të rinjve në komunitet.
Në aktivitetin politik Arli Dervishi ka një vëmendje të veçantë ndaj temave ambientaliste e në ndihmë të personave në nevojë.
Dhe pse ka lindur në Itali, ai thotë se Shqipëria është shtëpia ime dhe e familjes time. Origjina e familjes për të është majft e rëndësishme e do të influencojë përherë pozitivisht në jetën e tij.
Shqipërisë ai i ka dedikuar dhe temën e tij të diplomës.
Sot 23 vjeçari Arli Dervishi është këshilltari më i ri i komunës Almese me 6400 banorë ku fituese është shpallur Partia Lidhja e Matteo Salvinit e me kryetar bashkie Paolo Farsella.