Një 38 vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e djeshme nga policia italiane në Romë pasi qëlloi me armë zjarri drejt ish bashkëshortes së tij.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në një lokal të Romës, ku 38 vjeçari mbërriti me makinë, nxori armën e zjarrit dhe qëlloi drejt ish gruas së tij që gjendej në të njëjtin lokal.
Fatmirësisht plumbi kapi vetëm xhamin e lokalit, duke mos shkaktuar dëme të tjera në njerëz, shkruajnë mediat italiane.
Pas ngjarjes, shqiptari u arratis drejt banesës së tij që ndodhej në zonën e Battistinit.
Gjatë kontrollit të karabinierëve, 38 vjeçari u gjet i fshehur në dollapin e rrobave. Më herët ai ishte arrestuar në vitin 2021 për keqtrajtim të ish gruas së tij.
Një tjetër person u hetua në gjendje të lirë pasi ishte me 38 vjeçarin shqiptar në momentin që ky i fundit sulmoi ish gruan e tij.