Shqiptari u kap me mbi 100 kilogramë drogë në Itali, fijet çojnë tek klani shqiptar i trafikut 

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas shqiptar 33 vjeç, i dyshuar për përfshirje në trafik droge, pas sekuestrimit të mbi 110 kilogramëve lëndë narkotike në zonën e Teramos.

Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu telefona celularë, përfshirë një pajisje të kriptuar, si dhe një ditar që përmbante emra dhe numra kontakti.

Ky material, sipas autoriteteve, do t’i nënshtrohet analizave të detajuara, pasi mund të ndihmojë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe në rindërtimin e një rrjeti më të gjerë trafiku.

Sipas mediave italiane, arrestimi u krye dy ditë më parë në Val Vibrata nga Skuadra Fluturuese e policisë, gjatë një bastisjeje në një banesë në pronësi të të dyshuarit, shtetasit L. K.

Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth 30 kilogramë kokainë, 4 kilogramë heroinë dhe rreth 80 kilogramë hashash, si edhe sasi të konsiderueshme agjentësh prerës.

Hetimi po ndiqet nga Prokuroria e Teramos, nën drejtimin e prokurores Greta Aloisi. Një seancë dëgjimore për vërtetimin e masës së sigurisë është planifikuar të mbahet përpara gjyqtarit Roberto Veneziano.

I arrestuari, i cili sipas autoriteteve nuk rezulton me precedentë penalë, përfaqësohet nga avokati Maurizio Cacaci.

Autoritetet italiane theksojnë se sasia e madhe e drogës sugjeron se lënda narkotike nuk ishte e destinuar vetëm për tregun lokal të Teramos, por mund të shërbente edhe për zona të tjera përreth, përfshirë rajonin e Marche.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e 33-vjeçarit dhe përmasat e rrjetit të dyshuar të trafikut.

Share This Article