Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Shqipërisë, ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 162 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19 dhe deri në këto momente janë testuar 3385 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 416 raste.
MSh thotë se duke ndjekur ecurinë e këtij infeksioni, në grafikun e shpërndarjes së rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me SARS-COV2 sipas ditëve, vihet re një trend i qëndrueshëm i rasteve të konfirmuara.
“Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 17 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 182. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 50 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, dhe 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 56 pacientë”, thuhet në njoftim, ku theksohet se harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 3 raste, Shkodër 4 raste.