Policia në shtetin amerikan të Kalifornisë tha se shtatë persona u vranë të hënën në dy sulme të lidhura në dy zona bujqësore.
Të shtënat ndodhën në Gjirin Half Moon, në jug të San Franciskos. Autoritetet thanë në një konferencë me gazetarë se katër persona u gjetën të vdekur dhe një person i pestë u gjet i plagosur me armë zjarri në një vend, ndërsa tre persona të tjerë u gjetën të vdekur në vendin e dytë, disa kilometra më larg.
Sherifi i Qarkut San Mateo, Christina Corpus e identifikoi sulmuesin e dyshuar si 67-vjeçarin Chunli Zhao dhe tha se ai punonte në një nga vendet ky u krye sulmi.
Autoritetet thanë se i dyshuari u arrestua pasi me sa duket shkoi në një parking të stacionit policor për t’u dorëzuar. Një armë u gjet në makinë.
I dyshuari sipas policisë, po bashkëpunon me hetuesit, por motivet e sulmeve janë ende të paqarta.
“Ne jemi ende duke u përpjekur të kuptojmë saktësisht se çfarë ndodhi dhe pse, por është thjesht tepër, tepër tragjike”, tha senatori i shtetit Josh Becker, i cili përfaqëson zonën të cilën e cilësoi si “një komunitet bujqësor të lidhur shumë ngushtë”.
Të shtënat e së hënës pasuan një sulm masiv të së shtunës në qytetin jugor të Kalifornisë, Monterey Park, që la pas vetes 11 të vrarë dhe 9 të plagosur.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shkroi në Twitter se ishte në një takim me të plagosurit e së shtunës kur dëgjoi për sulmet e së hënës.
“Tragjedi mbi tragjedi”, shkroi ai.