Monumenti i Gjergj Kastriot-Skënderbeut është ekspozuar dje në vigjilje të ditëlindjes së heroit tonë të madh kombëtar dhe shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të komunës së Gjakovës. Shpalosja e monumentit të heroit legjendar shqiptar u bë në Parkun e Madh të qytetit.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka vlerësuar lart vendosjen e monumentit të kryetrimit shqiptar në qytetin e djegur nga lufta dhe barbaria serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se figura e Skënderbeut paraqet unitetin e fuqishëm që mbretëron ndër shqiptarët ndër shekuj. Ndërkohë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se simboli i unitetit shqiptar dhe lidhjes së përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet për liri përgjatë shekujve, duke përfshirë edhe Gjakovën.