Krahas turizmit tradicional liqenor, vizitorët e apasionuar pas natyrës do të kenë mundësi të eksplorojnë edhe turizmin malor në Pogradec.
Inaugurimi i shtegut të ri malor, i cili si pjesë të tij përfshin edhe Shën Naumin në Maqedoninë e Veriut, është një projekt ndërkufitar i mbështetur nga Bashkimi Europian me qëllim zhvillimin e përbashkët të turizmit, promovimit vlerave, traditave dhe agroturizmit.
Shtegu turistik Tushemisht-Shën Naum-Luadhi Çelos-Tushemisht të ofron një rrugëtim mes natyrës së bukur, bimësisë dhe agroturizmi që ka marrë jetë tashmë në zonën e quajtur “Luadhi i Çelos”, aty ku krahas natyrës gjen edhe gatime tradicionale si dhe njihesh me jetën në fermë.
Rrugëtimi përmes këtij shtegu turistik zgjat gati 3 orë dhe ka një terren lehtësisht të kalueshëm.
Me synimin për të zhvilluar turizmin malor, autoritetet vendore po shënjojnë shtigje të tjera turistike./ATSH/