Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se një komandant i lartë i Marinës Amerikane ka urdhëruar një raund të dytë sulmesh kundër një anijeje të dyshuar venezueliane që transportonte drogë. Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi të hënën se “Admirali Frank Bradley veproi brenda autoritetit të tij dhe në përputhje me ligjin” kur autorizoi sulmin shtesë.
Leavitt pohoi gjithashtu se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte dhënë miratimin për operacionet, por mohoi raportimet e Washington Post se Hegseth kishte urdhëruar “vrasjen e të gjithëve” në bord. Sipas raportimeve, sulmi i dytë u krye pasi dy persona mbijetuan shpërthimin fillestar dhe ishin kapur pas anijes që po merrte flakë.
Raportet kanë shkaktuar reagime të forta në Kongres, ku ligjvënës si republikanë ashtu edhe demokratë kërkojnë një hetim të plotë mbi ligjshmërinë e veprimeve ushtarake në Karaibe.
“Presidenti Donald Trump dhe Sekretari Hegseth e kanë bërë të qartë se grupet narko-terroriste të përcaktuara nga presidenti mund të shënjestrohen në mënyrë vdekjeprurëse, në përputhje me ligjet e luftës,” tha Leavitt. Ajo megjithatë nuk konfirmoi nëse sulmi i parë kishte lënë dy të mbijetuar, apo nëse sulmi i dytë synonte eliminimin e tyre.
Ndërkohë, Hegseth ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato “të sajuara, nxitëse dhe përçmuese”. Në një deklaratë në Twitter, ai e quajti Admiral Bradley-n “hero amerikan dhe profesionist të vërtetë”, duke shtuar se “qëndron 100% pas vendimeve të tij luftarake”.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm prezencën ushtarake në Karaibe javët e fundit, duke kryer një seri sulmesh ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, si pjesë e një operacioni të zgjeruar kundër narkotikëve. Mbi 80 persona raportohet të jenë vrarë që nga fillimi i shtatorit.
Administrata Trump e justifikon fushatën si një akt vetëmbrojtjeje për të parandaluar hyrjen e drogës së paligjshme në territorin amerikan. Por operacionet kanë rritur tensionet me Venezuelën, ndërsa Trump ka përsëritur se po shqyrton mundësinë e vendosjes së trupave tokësore në vend.




