“Edhe 5 vende mendojnë seriozisht normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows
Shtëpia e Bardhë njoftoi se edhe pesë vende, tre prej tyre në Lindjen e Mesme dhe dy nga jashtë rajonit janë shumë pranë normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, vlerësoi për gazetarët zhvillimet e fundit, në Wisconsin ku ai ndodhet për fushatën zgjedhore të Trumpit.
Duke përmendur marrëveshjet e normalizimit mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit, Meadows tha se “Edhe 5 vende mendojnë seriozisht normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, tre prej tyre janë nga rajoni, ndërsa dy nga jashtë rajonit”.
Ndërkohë Meadows shmangu zbulimin e emrave të vendeve në fjalë.
Meadows, bëri të ditur se Trump nuk do të shkojë të martën në New York për të mbajtur fjalimin e tij në kuadrin e bisedimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ai shtoi se Trump do të qëndrojë në Washington dhe fjalimin e OKB-së do ta mbajë nga Shtëpia e Bardhë.
Takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë vit do të zhvillohen kryesisht virtuale për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

