Sali Berisha reagoi të shtunën për planet e shpalosura nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një shteti Bektashi në Shqipëri.
“Edi Rama këto kohë për të mundur të maskojë lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, për të maskuar vjedhjet e mëdha të shqiptarëve, për të maskuar zbrazjen e Shqipërisë, vendosi si maskë kaukën e shenjtë të Bektashiut, në të cilën fle shpirti i Baba Aliut.
Me këtë rast garantoj miqtë e mi bektashinj kudo që janë, se nuk e ka për ata, por e ka për veten e tij, prandaj kujdes. E ka për sulltanatin e Surrelit. E ka të largojë mendjen e qytetarëve nga të zezat që shpërthejnë çdo ditë në këtë vend, nga mashtrimet, nga qëndrimet anti shqiptare”, tha Berisha nga dritarja e banesës së tij.
Planet për krijimin e shtetit Bektashi, Rama i deklaroi edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku tha se frymëzim për këtë është bërë mbrojtja që shqiptarët u siguruan hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, apo puna e shenjtores katolike shqiptare, Nënë Tereza.