Qeveria e Sllovenisë njoftoi përfundimin e epidemisë së koronavirusit në vend pasi autoritetet konfirmuan më pak se shtatë raste të reja të infektimit në dy javët e kaluara.
Sllovenia bëhet kështu vendi i parë që jep një njoftim i tillë në Bashkimin Evropian. Udhëtarët që mbërrijnë në Slloveni nga vendet e tjera anëtare të BE-së nuk do të duhet më të qëndrojnë në izolim për të paktën shtatë ditë.
Vendi me 2 milionë njerëz, i cili kufizohet me Italinë, Austrinë, Hungarinë dhe Kroacinë, deri më tani ka raportuar 1,464 raste me koronavirus dhe 103 vdekje. Sllovenia e shpalli epideminë më 12 mars.
“Sllovenia ka zbutur epideminë gjatë dy muajve. Sot Sllovenia ka pamjen më të mirë epidemiologjike në Evropë,” tha Kryeministri Janez Jansa para parlamentit të enjten.
Fundi i epidemisë do të thotë që disa masa, përfshirë ndihmën financiare për qytetarët dhe bizneset e goditura nga koronavirusi, do të skadojnë në fund të majit.
Qeveria tha se shtetasit e huaj që tregojnë shenja të infeksionit të koronavirusit ende nuk do të lejohen të hyjnë në vend.
Një karantinë prej të paktën 14 ditësh do të mbetet në fuqi për njerëzit nga shtetet jo anëtare të BE-së, përveç disa përjashtimeve përfshirë diplomatët dhe njerëzit që transportojnë ngarkesa.
Qytetarët do të duhet të ndjekin rregullat themelore për të parandaluar një përhapje të mundshme të infeksionit, tha qeveria.