Shteti me 111 milionë banorë e përkrah paktin e Australisë me ShBA-në

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një ndër shtetet me popullsinë më të madhe në botë, Filipinet, kanë dalë në përkrahje të paktit mes Shteteve të Bashkuara, Australisë e Britanisë së Madhe, duke shpresuar se kjo marrëveshje do ta mbajë baraspeshën e fuqisë në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Fuqizimi i aftësisë së një aleati të afërt për ta projektuar fuqinë duhet ta kthejë dhe ta ruajë baraspeshën e jo ta destabilizojë atë”, deklaroi të martën ministri i Jashtëm i Filipineve, Teodoro Locsin.

Kryediplomati i Filipineve tha se pa praninë e vërtetë të armëve bërthamore, pakti i njohur si Aukus nuk do ta shkelë traktatin e vitit 1995 për të mos futur armë bërthamore në Azinë Juglindore.

Deklarata e tij përbën dallim të madh në qëndrim në krahasim me fqinjët e Filipineve, Indonezinë e Malajzinë, të cilat e ngrenë alarmin për nëndetëset me energji bërthamore dhe për rivalitetin e superfuqive që po del  në pah në Azinë Juglindore, shkruan Reuters.

Ndryshe, Deti Jugor i Kinës vazhdon të jetë burim i tensioneve mes fuqive. Shtetet e Bashkuara, partnere në një traktat të mbrojtjes me Filipines, dhe aleatët perëndimorë rregullisht kryejnë operacione detare në atë pjesë. Këto veprime e kanë zemëruar Kinën.

Kina i ka cilësuar lundrimet e anijeve amerikane dhe të aleatëve si ndërhyrje në ujërat që pretendon se janë të vetat. Këto pretendime i kundërshtojnë shtetet tjera të rajonit, si Filipinet dhe Vietnami, të cilat e kanë akuzuar Kinën për frikësim të peshkatarëve dhe pengim të aktiviteteve për energjinë.

Share This Article