Ikën Leao dhe vjen Broja? Është ky skenari i fundit që po qarkullon në mediat italiane për merkaton e Milanit. Lëvizjet e fundit në kampin kuqezi nuk kanë kënaqur tifozët e Milanit që prisnin rinovimin e yllit portugez.
Takimi që ishte planifikuar në “Casa Milan” mes agjentit të lojtarit dhe drejtuesve, është anuluar për shkaqe që ende nuk bëhen të ditura, ndërsa dhe vetë klubi nuk ka dhënë një version zyrtar apo një datë tjetër që do të mbahet ky takim.
Të gjithë shpresonin se ky do të ishte hapi i parë i garancisë se ai do të vazhdonte të ishte pjesë e projektit të Piolit, por babai i tij ka shtyrë çdo gjë për një moment të dytë. Pas kësaj në mediat italiane, kanë nisur të mendojnë për zëvendësuesin e Leaos. Siç raportohet, Maldini dhe Massara kanë takuar avokatin Sebastien Ledur dhe kanë nisur bisedimet për transferimin e Hakim Ziyech te kuqezinjtë, por jo vetëm.
Së bashku me të në “Casa Milan” ishte edhe Cheikh Fall dhe sipas “Sportmediaset”, ai është ndërmjetësi i cili ka lidhje të drejtpërdrejt me Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar mbetet një nga synimet e kuqezinjve dhe në rast se portugezi nuk pranon të rinovojë kontratën me Milanin, 21-vjeçari mbetet objektivi kryesor.
Kontaktet e para me sulmuesin shqiptar kanë nisur që në muajin e kaluar dhe tashmë negociatat janë në fazë më të avancuar. Armando Broja nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme te Chelsea e megjithatë në ato pak minuta që ka luajtur ka realizuar një gol.